Edi Rama e justifikon rritjen e fortë dhe të njëpasnjëshme të çmimit të naftës me taksën e
zhdoganimit që paguajnë importuesit në bazë të çmimit të tregut, pavarësisht se kur e kanë futur atë në magazinë doganore.
Por për ekspertin e ekonomisë, Flobenc Dilaveri një praktikë e tillë është në shkelje të procedurave të magazinimit të karburanteve. Sipas tij, në treg ka oligopol, pasi është anormale që çmimet e naftës dhe benzinës të pësojnë rritje galoponte nga dita në ditë.
“Autoriteti i konkurrencës ka vend që të fillojë të hetojë në këtë moment dhe të na japë një përgjigje që do të ndihmonte qytetarët dhe qeverinë, nëse ka abuzim dhe ka çmime oligopol, apo është thjesht tregu që i ka vendosur”, thotë Dilaveri.
Ekspertët rekomandojnë që shteti të ndërhyjë duke ulur edhe taksat e karburanteve dhe duke luajtur kështu rolin e rregullatorit në treg. Ndërkohë që kontrolle të forta duhen edhe nga Autoriteti i Konkurrencës për të shmangur abuzimet.
“Të keqen më të madhe e kemi te niveli i taksave që kemi te një litër karburant, që rriten paralelisht me rritjen e çmimit. Mendoj që qeveria këtu mund të ndalojë disi, të vendosë ca limite, në mënyrë që edhe nëse nafta shkon 300 apo 400 lekë litri, të mos vazhdojë të rrisë pjesën e saj të fitimit”, thotë Dilaveri.
Qeveria ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë në treg për të frenuar rritjen e çmimeve, ndërkohë që vendet e tjera, si Serbia, Kosova dhe Maqedonia e veriut kanë marrë masa duke ulur taksat e karburanteve apo vendosur çmime tavan për naftën dhe benzinën.