Ish-deputeti i partisë Alternativa, Ilir Deda, nuk do të garojë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
Deda thotë se mundësinë e moskandidimit të tij në zgjedhjet e radhës, e ka paralajmëruar më 8 dhjetor të vitit 2018.
Ndër të tjera ai thotë se “elita politike në pozitë e opozitë, e verbëruar nga konfliktet personale, nuk do që të jep përgjigje e të marrë përgjegjësi për Republikën e Kosovës”.
“Në vend se të jetë fitorja politike e Kosovës prioritet, te ne është më e rëndësishme fitorja partiake individuale. Prandaj, unë refuzoj të jem pjesë e kësaj lloj politike, esencialisht primitive dhe skajshmërisht të papërgjegjshme”, ka thënë ai.
Sipas Dedës, zgjedhjet e 6 tetorit mund të ishin mundësi për transformim rrënjësor politik të Kosovës, por sipas tij, të tilla nuk do të jenë.
Ai thotë se këto zgjedhje po shndërrohen në përplasje militantësh në një anë dhe tentim për mbijetesë politike në anën tjetër.
Deda thotë se nuk po tregohet, përsëri, përkushtimi maksimal e serioz politik për ndryshim thelbësor, e përgjegjës për këtë janë sidomos të gjithë që do të flasin për “ndryshim”.
“Opozita e deri djeshme fitoren bindëse e ka pasur të garantuar nëse bashkohet, dhe me një agjendë qeverisëse reformuese e transformuese të nxirrej Kosova nga humnera në të cilën është. Në vend të kësaj, përsëri, shkohet ndaras, gjë që sipas bindjes time nuk e sjellë ndryshimin e domosdoshëm. Në vend të interesit të Kosovës, triumfoi interesi partiak dhe i pozicionit të individëve brenda partisë. Në betejën e shkurtëpamësisë politike unë nuk kam çka kërkoj, se kush i fiton 2-3% më pak a më shumë nuk është agjendë shtetndërtuese, por është përpjekje e mbijetesës politike, pa projekt reformues, mbijetësë kjo që tanimë ka arritur kulmet e hipokrizisë”, ka shkruar ai.
Ai potencon se në përpjekjet dhe luftën e tij për një vend në të cilin mbizotëron liberal-demokracia dhe qeverisja e mirë, të cilin thotë se e ka bërë me aq sa ka ditur e mundur dhe ndershëm, është udhëhequr vetëm nga bindjet e tija, e jo nga oportunizmi apo kalkulimet, pasi shton se oportunizëm do të ishte pjesëmarrja tash në zgjedhje.
“Jam udhëhequr nga bindja se për politikë të re duhen individë të formuar që e krijojnë grupin politik të fortë, e jo militantë; se me rëndësi është projekti politik dhe zgjidhjet e ofruara, e jo pozicionimi individual. Nuk e kuptova që kjo bindje bie ndesh me realitetin politik në Kosovë, apo e kuptova shumë vonë. Kjo më së miri e përshkruan pse gjithë ato figura që veprojnë në bazë të vlerave liberal-demokrate nuk janë bashkë, por të shkepur gjithandej – si të djathtë apo të majtë, opinionistë e aktivistë.Padyshim që kam bërë gabime në rrugëtimin tim politik, por këto gabime më kanë dëmtuar mua, e jo Republikën e Kosovës apo popullin tonë. Tash është koha për bilans si konsekuencë e mossuksesit në arritje të rezultateve për një standard e vizion politik që e kërkoj dhe promovoj me ngulm, dhe si rrjedhojë e respektoj vetë”, ka shtuar tutje ai.
Deda thotë se edhe pse i është ofruar hapësirë në disa lista zgjedhore, ai nuk do të punojë kundër bindjeve të tija.
“Kjo nuk do të thotë që do ta përfundoj angazhimin tim publik, si qytetar dhe aktivist politik. Thjeshtë, refuzoj të bëhem pjesë e “lojës” ku rezultati i kërkuar – ndryshimi thelbësor që e dua – nuk besoj që do të arrihet në zgjedhjet e radhës. Dhe, rrjedhimisht nuk shoh vlerë që të marr pjesë në to. Besoj që ky vendim i imi personal është më i ndershmi edhe ndaj përkrahësve të mi, të cilët i falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme që ma kanë dhënë dhe nga të cilët kërkoj mirëkuptim”, ka shtuar ai.