Ndeshje spektakolare është zhvilluar të shtunën mbrëma në Old Traford, ku Manchester United ka triumfuar 3-2 ndaj Tottenham Hotspur.
Djajtë e Kuq fituan falë një paraqitje fantastike të ikonës së tyre Cristiano Ronaldo i cili kompletoi het-trickun në këtë sfidë.
Por trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte ka folur pas ndeshjes duke thënë se pa portugezin, Manchester United nuk do të mund të merrnin as një barazim ndaj ekipit të tyre.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2022/03/FNrLKMPaQAA0iM7.jpg)
Conte e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë Ronaldon, duke thënë se është futbollist që i vetëm i vendos ndeshjet.
“Po flasim për një futbollist që ka qenë gjithmonë vendimtar dhe protagonist në karrierën e tij. Pa CR7, United do e kishte të vështirë të merrte edhe barazimin përballë nesh. Ai e tregoi përsëri se çfarë lojtari është”, u shpreh fillimisht Conte.
Conte tutje deklaroi se nuk e kanë merituar humbjen në këtë sfidë, por ka pranuar se duhet të përmirësohen.
“Humbje e vështirë për t’u shpjeguar, nuk mendoj se e merituam të humbnim, por në të njëjtën kohë duhet të kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi. Kemi nevojë për më shumë eksperiencë në situata të caktuara”.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2022/03/AntonioConteTottenham.jpg)
“Në fushë jemi përmirësuar shumë, por përvoja është një gjë që nuk mund të blihet. Ne kemi shumë lojtarë të rinj në ekip, shpresoj që ata të mësojnë nga kjo disfatë”, u shpreh trajneri italian.
Manchester United aktualisht zë vendin e katërt në tabelë 50 pikë pas 29 ndeshjeve, derisa Spurs zënë vendin e shtatë me 45 pikë, por që kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara.