Bernard Berisha është bërë me veturë të re sonte, pasi që Presidenti i Çeçenisë, Ramazan Kadirov e ka shpërblyer atë, pas golit të shënuar sot kundër FC Tambov në Premier Ligën e Rusisë.
Ramazan Kadirov e ka shpërblyer lojtarin e Kombëtares se Kosovës, Bernard Berishën pasi që shënoi gol për FC Akhmat Grozny në minutën e fundit të ndeshjes për ta barazuar rezultatin.
Bernardi nuk startoi në këtë takim, por u inkuadrua në lojë në minutën e 54-të te ndeshjes.
Akhmat Grozny ishte duke humbur me rezultat 1-0 si vendas kundër FC Tambov por këtë epërsi e shkriu Bernardi duke shënuar gol në minutën e 90-të.
Pas ndeshjes, Bernardi ka shkruar një status ku e ka falëndëruar Kadirovin, që njihet si një mik shumë i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin.
“Lojtari i ndeshjes. Faleminderit presidentit Ramazan Kadirov për veturën”, ka shkruar Berisha.
Ndryshe, Kadrov është pronar i klubit me të trofeshëm çeçen, Akhmat Grozny në të cilin luan edhe lojtari i kombëtares shqiptare Odise Roshi.