Për analistin Ben Andoni, dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike është vetëm çështje ditësh, duke shtuar se nuk e di nëse kjo gjë prish apo ndreq diçka.
Sipas Andonit, Partia Demokratike duhet rithemeluar nga fillimi që nga baza e saj, përmes një komisioni të përbashkët.
“Mua më duket si një gjendje patologjike e zotit Basha që nuk kupton realitetin. Besoja se ai do të jepte dorëheqjen në 25 prill. Në momentin që po flasim, dorëheqja e zotit Basha jo vetëm është e vonuar, por nuk e di nëse prish apo ndreq diçka. Problemi më i madh është që PD duhet rithemeluar.
Në të dy Kuvendet dolën shifra që kundërshtonin njëra tjetrën. Ngritja e PD duhet të fillojë që nga baza. Në të dy kuvendet pati përplasje për numrat. Basha në kokë e ka dorëheqjen, duhet ta ketë dhënë me veten e tij, dhe është çështje dite për ta shpallur”, tha Andoni.