Sot, kancelari gjerman Olaf Scholz hodhi poshtë edhe një herë thirrjet që Gjermania të bojkotonte burimet ruse të energjisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
Scholz deklaroi sot se sanksionet tashmë janë vendosur ndaj Rusisë dhe se ato po ndikojnë në ekonominë e atij vendi dhe se e gjithë kjo “do të jetë edhe më dramatike”.
Në të njëjtën kohë, sanksionet janë krijuar për të qenë “të tolerueshme” për ata që i vendosin ato, duke përfshirë edhe në planin afatgjatë, shtoi ai.
“Kjo është arsyeja pse qëndrimi i Gjermanisë mbetet i pandryshuar për çështjen e energjisë”, tha Scholz.
Kancelari gjerman deklaroi se vendet e tjera në Evropë janë edhe më të varura nga nafta, qymyri dhe gazi rus sesa Gjermania dhe se “askush nuk duhet të lihet jashtë kur bëhet fjalë për këtë çështje”.
Scholz përsëriti se Gjermania po punon për të ndryshuar furnizuesin e energjisë dhe se do të duhet kohë, por se në fund do të ketë të njëjtin efekt si bojkoti.
AP shton se vendet evropiane i paguajnë Rusisë qindra milionë dollarë çdo vit për karburantet fosile dhe se zyrtarët ukrainas thonë se kjo tregti financon luftën kundër vendit të tyre.