Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, 23 vite më parë.
Osmani përmes një postimi në Twitter ka shkruar se 23 vjet më parë NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër populli të Kosovës.
Ajo ka thënë se u janë mirënjohës aleatëve të cilët mbështeten Kosovën në rrugën drejtë lirisë dhe demokracisë.
“23 vjet më parë, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Ne u jemi përjetësisht mirënjohës aleatëve tanë për mbështetjen e rrugës sonë drejt lirisë dhe demokracisë. Tani më shumë se kurrë, bota demokratike duhet ta kujtojë këtë histori suksesi”, ka shkruar Osmani.
Sulmet kishin filluar më 23 mars 1999, në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.