Provimin e parë, trajneri i ri i Kosovës Andre Giresse e kaloi me notat më të larta, edhe pse ndaj një ekipi modest.
“Dardanët” dominuan ndeshjen miqësore ndaj Burkina Fasos me rezultatin e thellë 5-0, duke treguar një nivel teknik shumë më të lartë se afrikanët.
Kosovarët kaluan në avantazh që në fillim të sfidës së “Fadil Vokrrit” me anë të Alitit, dhe më pas dominuan lojën, edhe pse protagonist ishte edhe portieri Sajmir Ujkani, i cili priti një penallti dhe bëri ndërhyrje domethënëse.
Golat e tjera u shënuan nga Selmani në minutën 23, Vojvoda në të 53-ën, Rashica (68) dhe Domgjoni, që firmosi “manitën”.
Pas ndeshjes ish-ylli i Kombëtares Franceze të viteve ’80, sot trajneri i Kosovës, deklaroi se “Siç kam thënë kam filluar t’i jap mundësinë të gjithëve. Në ndeshjen e mbetur do të aktivizojë lojtarët që nuk luajtën sot. Një fitore me rëndësi. Jam shumë i kënaqur për të gjithë lojtarët dhe më vjen mirë që i japim mundësi ata që luajnë nga Liga e Kosovës”.