Italia ndihet e shkatërruar dhe e thërrmuar pasi dështoi përsëri për të marrë pjesë në Kupën e Botës, duke pësuar disfatë 1:0 në shtëpi nga Maqedonia e Veriut, ka thënë mbrojtësi Giorgio Chiellini.
Italia nuk ishte kualifikuar për Kupën e Botës 2018 – që ishte hera e parë që prej vitit 1958 – dhe tani do të mungojë edhe në Katar 2022 për fajin e një goli të vonshëm të Aleksandar Trajkovskit, i cili ia siguroi Maqedonisë së Veriut kalimin historik në finale të play-off-it të enjten.
“Unë jam krenar i një ekipi që ka dhënë gjithçka”, tha Chiellini, i cili e zëvendësoi Gianluca Mancinin në minutën e 90-të. “Është e qartë se ne jemi të shkatërruar dhe të thërrmuar në zemër, kjo do të na lërë me një vrimë të madhe brenda. Zhgënjimi është i madh. Madje edhe sot luajtëm mirë por nuk arritëm të shënonim. Nga shtatori deri sot kemi bërë gabime dhe paguam për to”.
Mesfushori Marco Verratti tha se goli i Maqedonisë së Veriut në kohën shtesë ishte makth i vërtetë për kampionin evropian.
“Ky grup e kishte një mundësi të madhe në Kupën e Botës. Vinim nga një rekord si të pamposhtur, prandaj është e vështirë ta pranosh këtë që ndodhi sonte. Të gjithë ne e dimë se kemi dhënë gjithçka. Natyrisht, tani është koha t’ia bëjmë vetes disa pyetje”, tha ylli i Paris Saint-Germain.
Për një vend i cili e ka fituar Kupën e Botës katër herë, rekordi i kohëve të fundit i Italisë është turpërim kombëtar. Qëkur e fitoi Kupën e Botës më 2016, Italia nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje në fazën e eliminimit direkt në këtë turne dhe e ka fituar vetëm një ndeshje të fazës grupore që prej atëherë.
Trajneri Roberto Mancini e kishte vështirë të thoshte diçka për ekipin e tij, i cili përfundoi në play-off dhe jashtë Kupës së Botës disa muaj pasi e kishte mundur Anglinë në finale të Euro 2020 verën e kaluar.
“Është e vështirë të thuash diçka tani. Nuk e di çfarë të them. Vera e kaluar na solli gëzimin më të bukur, tani vjen zhgënjimi më i madh. Më vjen shumë keq për djemtë: Unë i dua ata shumë më shumë sonte se në korrik [2021]”, tha Mancini.
Ai shtoi: “Unë jam trajneri, përgjegjësia bie mbi mua së pari, djemtë jo. Ata kanë të ardhme të madhe, ata janë lojtarë të fortë për të ardhmen e ekipit kombëtar. Ne nuk e merituam këtë disfatë”.