“Regjistrimin, statistikat në vend nuk duhet shndërruar në një betejë të pakuptimtë ndëretnike.” Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u bëri apel të gjitha forcave politike të Maqedonisë së Veriut që të pranojnë rezultatin e censusit për regjistrimin e popullsisë.
Kundërshtitë, kreu i forcës politike shqiptare, i konsideroi tentativë për të fituar pikë politike, ndërsa procesin e konsideroi edhe njëherë të suksesshëm, i cili është pranuar nga institucionet në vend dhe organizatat ndërkombëtare.
“Po qe se hapim konteste, shqiptarët do thonë nja 200 deri 300 mijë nuk janë regjistruar, maqedonasit po ashtu, serbet, turqit po ashtu dhe çka bëjnë, në shtetin tonë e shndërrojmë në një arenë debatesh që nuk shpijnë askund përveç acarimeve të brendshme të etnive. Në çdo vend ka 1-12% të popullatës që nuk regjistrohet”, tha Ahmeti.
Pavarësisht se në census rezultuan vetëm 3504 bullgarë në Maqedoni të Veriut, kreu i BDI-së tha se e mbështet kërkesën që ky komunitet të përfshihet në kushtetutën e vendit. Ahmeti tha se një kërkesë të ngjashme e kanë bërë edhe kroatët dhe malazezët.
Regjistrimi i popullsisë u përshëndet dhe nga presidenti, Stevo Pendarvoski, i cili tha se procesi i përmbushë të gjitha standardet europiane. Por opozita e Maqedonisë së Veriut, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa shprehën rezerva duke e konsideruar censusin të paplotë.
Kundërshti kanë shprehur dhe përfaqësuesit e komuniteteve pakicë si ato turq, serbë dhe boshnjakë duke pretenduar se në shifra janë më shumë. Nga regjistrimi i popullsinë Maqedoni të Veriut rezultuan rreth 2.1 milionë banorë, nga të cilët 54% ishin maqedonas dhe rreth 30 për qind shqiptarë.