Kuvendi i Preshevës një ditë më parë votoi pro shkarkimi të Ardita Sinanit nga posti i kryetares së Preshevës, ndërkaq pas këtij votimi, Kuvendi votoi për kryetar Shqiprim Arifin.
Ardita Sinani u shkarkua nga pozita e kryetares së Preshevës, pasi partnerët e koalicionit nga radhët e Lëvizjes për Reforma nuk patën vullnet ta vazhdojnë koalicionin, pa përmendur arsye specifike për largimin e tyre nga kryetarja Sinani dhe bashkimin me partinë e kryetarit nga Alternativa për Ndryshim.
Gjatë të hënës, kryeministri Albin Kurti ka takuar përfaqësuesit e Luginës, ndërkaq theksoi se po bëhet spastrim etnik nga Serbia.
Ai tha se nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin.
Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të deklaratave pas shkarkimit të Sinanit nga posti i kryetares së Preshevës.
Kuvendi i Preshevës shkarkon Ardita Sinanin nga posti i kryetares
Kuvendi i Preshevës ka votuar të hënën pro shkarkimit të Ardita Sinanit nga posti i kryetares së Preshevës.
Seanca e ftuar nga kryetari i Kuvendit, Sami Salihu, me 20 vota për asnjë kundër dhe 18 fletëvotime të papërdorura shkarkoi Ardita Sinanin nga posti i kryetares.
Por, Sinani zgjodhi Facebook-un për të falënderuar përkrahësit e saj.
“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Në Luginë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mërgatë. Bashkërisht do ta përmirësojmë degradimin e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës” ka shkruar ajo.
Sinani më vonë në një postim tjetër në Facebook ka thënë se dy humbësit e zgjedhjeve Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu “për puç nga lart”.
“Nuk përfillën as Shqipërinë dhe Kosovën. Populli nuk i deshi për deputet. U hakmorën ndaj meje. Me gishta në Kuvend, pa vota të qytetarëve. Eliminuan politikisht Shaip Kamberin nga parlamenti dhe më rrëzuan mua nga kryetarja e Komunës. Realizuan skenarin. Karriget i morën, por eliminuan veten nga populli”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sinani konsideron se pushteti i ri në Preshevë është produkt i degradimit të politikës shqiptare në Luginë dhe se nevojiten zgjedhje të reja për ta ndërtuar një qeverisje legjitime.
“Alternativa për ndryshim” në Preshevë kishte mbledhur nënshkrimet për të rrëzuar qeverisjen lokale, përmes të cilës u kërkua shkarkimi i kryetares Sinani.
Sinani më parë kishte kërkuar që të shtyhet mbajtja e kuvendit komunal për shkarkimin e saj, pasi të hënën do të zhvillonte një takim me kryeministri Albin Kurti, në Prishtinë.
Pas shkarkimit të Ardita Sinanit, Shqiprim Arifi – kryetari i ri i Preshevës
Pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, ku është shkarkuar kryetarja Ardita Sinani, është thirrur seanca e katërt për emërimin e kryetarit të ri.
Në këtë seancë të kuvendit komunal në Preshevë, me 20 vota për, Shqiprim Arifi u zgjodh kryetar i komunës.
Ndërkaq, Arifi në një postim në Facebook shkruan se angazhimi i tij politik ka filluar me bindjen më të thellë se do mundohet t’i shtyjë para kauzat në dobi të shoqërisë̈, mbi të gjitha çështjes kombëtare shqiptare deri në realizimin e të drejtave të plota njerëzore në shtetin ku jetojmë.
“Pasi më është dhënë besimi dhe privilegji për mandatin rrjedhës, fillimisht prej strukturave në të gjitha nivelet të subjektit politik ALTERNATIVA PËR NDRYSHIM, që unë udhëheq, së bashku me partnerin qeverisës Lëvizjen për Reforma të udhëhequr nga z.Sami Salihu, betohem me përgjegjësinë më të lartë se do të punojmë duke vazhduar nga aty ku na mbeti, me të njëjtën energji, intensitet e vullnet, për të arritur objektivat që kemi para vetes.
Duke shprehur mirënjohje dhe falënderim, për familjen dhe çdo secilin që ka kontribuar që sot të jemi këtu, jam i bindur se për angazhimin tim dhe punëve të shumta para nesh, do ta kem mbështetjen tuaj.
Rrallëherë gjendet në shoqëri, guximi për Ndryshim, e guximi rrjedh nga dashuria për vendin!”, ka shkruar ai.
Ndërsa në pozitën e zëvendës kryetarit të komunës së Preshevës është emëruar Almin Shaqiri.
Në seancën e së hënës me shumicë votash u votua edhe lista e anëtarëve të këshillit komunal.
Sinani u shkarkua nga pozita e kryetares së Preshevës, pasi partnerët e koalicionit nga radhët e Lëvizjes për Reforma nuk patën vullnet ta vazhdojnë koalicionin, pa përmendur arsye specifike për largimin e tyre nga kryetarja Sinani dhe bashkimin me partinë e kryetarit nga Alternativa për Ndryshim.
Ardita Sinani është zgjedhur në krye të Preshevës më 21 maj të vitit 2021, si pjesë e Partisë për Veprim Demokratik (PVD).
Për kryetarin e ri të kësaj komune, Arifin, kjo është hera e dytë që vjen në pozitën e kryetarit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur të hënën në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare.
Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.
“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha”, thuhet në njoftimin për media.
“Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhje as nuk ishin të lira e as demokratike. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore”, theksoi kryeministri.
Ai më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm”, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës.
Bashkë me kryeministrin në takim ishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
këtë takim morën pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, z.Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati.
Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.
Pas shkarkimit të Sinanit nga pozita e kryetares së Preshevës ka pasur reagime.
Për shkarkimin e saj, reagoi ish deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, njëherit kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
Kamberi për shkarkimin e Sinanit: Ti jo, ata sot humbën gjithçka bashkë me nderin
Ish-deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, njëherit kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi ka reaguar pas shkarkimit të kryetares së Preshevës, Ardita Sinani.
Kamberi përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se kundërshtarët politik sot humbën gjithçka bashkë me nderin.
“Ata, jo Ti, sot humbën gjithçka bashkë me nderin. Por besoj se mbetet populli ai që më së miri e din peshën e hipokrizisë, vetëmashtrimit e respektit dinjitoz që ata kanë për gënjeshtrën”, ka shkruar Kamberi.
Mustafi: Për herë të parë Qeveria e Kosovës shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë
Iniciativa për shkarkimin e kryetares së Preshevës, Ardita Sinani po konsiderohet të jetë e nxitur nga jashtë dhe nuk ka qëllim interesat e shqiptarëve të Luginës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi deklaroi se tentativa të tilla të Kuvendit Komunal dëmtojnë interesin e shqiptarëve në Preshevë.
Me këtë nuk është pajtuar as kryeministri Albin Kurti, i cili në takimin e përfaqësuesve të Luginës ka deklaruar se përfaqësues të luginës ka thënë se nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin.
Sipas Mustafit, për herë të parë Qeveria e Kosovës shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë.
Pas takimit të ftuar nga shefi i ekzekutivit, Ragmi Mustafi deklaroi për Kp se mëngjesin e sotëm në Prishtinë, është diskutuar çështja e pasivizimit të adresave, abuzimit me të drejtat e shqiptarëve por edhe organizimeve politike në Preshevë.
Në këtë takim ka qenë i ftuar edhe kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu dhe kreu i APN-së, Shqiprim Arifi, por të njëjtit nuk kanë qenë të pranishëm.
Mustafi tutje tha se kjo iniciativë po dëmton interesat e Luginës së Preshevës.
“Konsideroj se kjo iniciativë nuk është burimore e Preshevës, nuk është qasje politike apo përplasje politike, por është më tepër përplasje e acarimit të pozitës politike që kanë parti politike. Në anën tjetër duke mos kuptuar situatën, momentin në të cilin gjeopolitikësh Lugina e Preshevës, Kosova dhe Ballkani Perëndimor, unë po besoj që me këtë vetëm sa po dëmtojnë, përkatësisht po përçajnë e po përçojnë përçarje dhe po dëmtojnë interesat e Luginës së Preshevës”, deklaron ai.
Iniciativa e shkarkimit të Ardita Sinanit, sipas tij, është e nxitur nga jashtë. Në anën tjetër, ai thotë se ka “fije shpresë” për zgjedhjen e Shaip Kamberit, deputet në Parlamentin e Serbisë.
“Nuk është vetëm çështje e shkarkimit, është konteksti dhe koha kur po ndodhë kjo. Kjo po ndodhë pas zgjedhjeve parlamentare ku shqiptarët kanë dalë pa asnjë deputet, përkatësisht në dy lista. Listën që udhëhoqi Shqiprim Arifi dhe që mori shumë pak vota, përderisa në listën që udhëhoqi Shaip Kamberi për 300 vota nuk arriti të bëhet deputet. Edhe pse ka një fije shprese se mund të ndodhë kjo. Pas përplasjeve shumë të mëdha mes spektrit politik të Luginës së Preshevës që nuk kishte ndodhur në Luginë dhe prodhim i acarimit të marrëdhënieve ndërpartiake të subjekteve politike duke mos qenë kjo iniciativë burimore e Preshevës, konsiderojmë që është e nxitur nga jashtë e që ka për qëllim të akomodojë interesa të të tjerëve e jo të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shton Mustafi.
Derisa komenton thirrjen e Kurtit për mos-shkarkimin e kryetares së Preshevës, Mustafi deklaron se është hera e parë që qeveria shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë.
“Pasur këtë parasysh ai në këtë moment kërkon që të jemi më unik e të kemi një qasje më të përbashkët sa i përket politikës në Luginën e Preshevës. Dhe në anën tjetër fton që të mos jemi pjesë e acarimit ndër shqiptar dhe shkarkimit të zonjës Ardita Sinani. Pra, unë besoj që kjo është hera e parë që drejtpërdrejt kryeministri i Republikës së Kosovës ka shprehur interes për çështjet e brendshme të Luginës së Preshevës, besoj që ka bërë mirë. Ka bërë mirë në njërën anë duke vënë në pah se Qeveria e Kosovës është e interesuar me atë se çfarë është duke ndodhur Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e posaçërisht në kuvendet komunale”, përfundon Mustafi.
Aliu: Arifi nuk kishte gatishmëri për unifikim të shqiptarëve në Luginë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu i ka hedhur poshtë akuzat e Shqiprim Arifit se ka ndërhyrë në skenën politike atje në orët e fundit për të mos lejuar shkarkimin e kryetares e kësaj komune, Ardita Sinani.
Aliu ka thënë se qysh para zgjedhjeve parlamentare të Serbisë si Qeveri e Kosovës kanë bërë përpjekje që t’i bindin subjektet politike në Luginën e Preshevës që të futen në një listë të përbashkët në zgjedhje, por nuk ia kanë arritur qëllimit si pasojë e mosbashkëpunimit nga Shqiprim Arifi.
“Aso kohe subjektet politike atje vetëm se u patën ndarë në dy lista dhe ideja ishte që ata të pajtohen dhe të futen në një listë të përbashkët, e ku një ndër problemet kishte qenë numri një në listë. Në atë kohë i patëm ftuar të gjithë krerët e subjekteve politike. Shqiprim Arifi s’kishte ardhur në takim por më pas kemi biseduar në telefon me idenë që të krijohet lista e përbashkët, e ku pastaj mbase Arifi do të shkonte i pari në listë, e ku dukej se kishte gatishmëri nga Shaip Kamberi, por mungonte gatishmëria e Shqiprim Arifit”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se kjo përçarje i kushtoi shumë të gjithë shqiptarëve të Luginës, pasi nuk arritën të marrin asnjë vend në Parlamentin e Serbisë.
“Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme sepse Serbia është shumë agresive. Ajo vazhdon t’i mbajë bazat ushtarake të drejtuara nga Kosova. Vazhdon t’i pasivizojë adresat e shqiptarëve dhe si rrjedhojë gjithnjë e më pak shqiptarë ka në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Duke pasur parasysh situatën aktuale është jashtëzakonisht e rëndësishme që spektri politik në Luginë të jetë sa më unik dhe në komunikim me Qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka shtuar Aliu.
Shkarkimin e sotëm të kryetares së deritashme të komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe zgjedhjen e Shqiprim Arifit në këtë pozitë, ai e ka vlerësuar si një hap jo të mirë.
“Është dashur të priten zgjedhjet. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare tregoi se Arifi nuk doli mirë, pra pse i kanë numrat në Kuvendin komunal nuk do të thotë se kjo do të duhej të bëhej, sidomos tani kur kryetarja Ardita Sinani arriti të krijojë një ambient mjaft të mirë, të krijojë kontakte të mira me Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë dhe të sensibilizojë çështjen e Luginës së Preshevës gjithandej”, ka theksuar tutje Aliu.
Ai ka theksuar në një intervistë në RTK, se deri më tash ka munguar gatishmëria e Shqiprim Arifit për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, por shpreson që në të ardhmen të ndryshojnë gjërat.
“Uroj që Shqiprim Arifi të fillojë komunikimin tash e tutje, sepse deri tash ka munguar fare, gjë e cila na ka brengosur shumë. Ky komunikim nuk ka munguar me Beogradin, por me Prishtinën e Tiranën ka munguar jashtëzakonisht shumë”, ka nënvizuar Aliu.
Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim është zgjedhur sot kryetar i ri i Preshevës, pas shkarkimit të kryetares së deritanishme të kësaj komune, Ardita Sinanit, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal. Arifi ka marrë besimin e 20 këshilltarëve komunalë të Preshevës. /Telegrafi/