Terroristi i ISIS, El Shafee Elsheikh, mund të kalojë pjesën e mbetur të jetës së tij në burgun më famëkeq të Shteteve të Bashkuara, të mbiquajtur “Alkatrazin e Maleve Shkëmborë”.
33-vjeçari u shpall fajtor të enjten, për rrëmbimin dhe vrasjen e katër shtetasve amerikanë, kur ishte pjesë e një celule të ISIS të quajtur “The Beatles”.
Me shumë gjasa ai do të dënohet me burgim të përjetshëm dhe do të dërgohet prapa hekurave në burgun ku janë mbledhur disa prej kriminelëve më famëkeq të botës, si El Chapo, terroristi i maratonës së Bostonit, Dzhokar Tsarnaev, apo mafiozi i familjes Bonanno, Vincent Basciano.
Gjatë gjyqit u faktua se Elsheikh dhe bashkëpunëtorët e tij, Mohamed Emwazi dhe Alexanda Kotey merrnin persona peng dhe kërkonin t’i këmbenin me militantë të ISIS që ishin burgosur. Disa prej pengjeve patën fat dhe mbijetuan, por të tjerë jo. Elsheikh dhe grupi i tij filmonin vrasjet brutale dhe krijonin me to video propagandistike.
Avokati mbrojtës i tij tha se ishte thjesht “një luftëtar i ISIS”, akuza faktoi se në fakt ai ishte pjesë e rëndësishme e organizatës terroriste, që për disa vite, duke filluar nga 2014-ta, pushtoi disa territore në Siri dhe Irak dhe shpalli krijimin e Kalifatit. Sot, organizata ka humbur pjesën më të madhe të pushtetit.
Burgu “ADX Florence” ku mund të dërgohet Elsheikh ndodhet në Kolorado, i rrethuar nga Malet Shkëmborë, dhe një shkretëtirë dhjetëra kilometra të gjatë. Të burgosurit aty rrinë për 23 orë në ditë në qeli dhe vetëm për 1 orë mund të dalin për pak diell dhe ajër të pastër. Çdo qeli ka një tavolinë, një krevat, një stol, një raft, një lavaman dhe një tualet. Dhoma është e izoluar nga zhurmat dhe në pjesën më të madhe të tyre ka një televizor. Burgu është krijuar në vitin 1983, për të mbyllur aty brenda dhe në izolim total të dënuarit.