Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino sugjeroi se ai nuk do të ndërrojë më Gianluigi Donnarumman dhe Keylor Navasin sezonin e ardhshëm, me njërin që pritet të largohet në verë.
Donnarumma ka luajtur 22 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon, një më pak se shoku i tij i skuadrës, Navas.
Pochettino dukej i lumtur me rotacionin e dy portierëve gjatë sezonit, por tani ka ndryshuar mendje, duke sugjeruar se gjërat do të ndryshojnë nga sezoni 2022/23.
“Bashkëjetesa ka qenë e mirë mes tyre, por e ardhmja me siguri do të jetë ndryshe”.
“Është e qartë se të dy do të donin të luanin shumë më tepër se sa kanë pasur mundësi të bëjnë. Asnjë klub tjetër nuk ka përjetuar një situatë si kjo, me dy portierë si Keylor dhe Gigio”, ka thënë Pochettino pas fitores ndaj Angers.
Me fjalë të tjera, Pochettino hapi derën për shitjen e njërit prej dy portierëve. Navas e nisi ndeshjen e mbrëmshme, por para fillimit e kishte pranuar se nuk ishte i kënaqur me situatën në klub.
Ish-lojtari i Real Madrid tha se ai duhet të marrë në konsideratë “shumë gjëra në fund të sezonit”, duke shtuar se situata duhet “të ndryshojë në një mënyrë ose në një tjetër”.
Donnarumma iu bashkua PSG-së në një transferim falas nga Milani verën e kaluar pasi u emërua “Lojtari i Turneut” në Euro 2020. Ai ka pasur ulje dhe ngritje dhe në Paris këtë sezon dhe sipas raporteve në Itali, ai do të ishte i hapur për t’u rikthyer në Serie A, edhe pse jo shumë klube mund ta përballojnë atë.
Milani shihej si një destinacion i mundshëm për Gigion, por kuqezinjtë nuk janë të interesuar ta mirëpresin atë në San Siro.