Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është implikuar në një skandal të madh financiar bashkë me kryetarin e Partisë së Lirisë në Slloveni, Robert Golob.
Kështu deklaroi Shkëmb Manaj në një konferencë për media. “LDK sot kërkon dorëheqjen e ambasadorit Berishaj, dhe ai duhet të përballet me institucionet e drejtësisë”, ka thënë Manaj.
Ai shtoi se ambasadorit Berishaj iu deshën vetëm shtatë muaj për të bërë pazar me blerjen e energjisë elektrike.
Sipas tij, ky skandal është arsyeja e vetme e rezistencës së pushtetit për mosformimin e Komisionit Parlamentar.
“Ky skandal shpërfaq më së miri rolin e pushtetit me refuzimin e projektit amerikan të gazit. Përgjigjet do t’i marrim me hetimin parlamentar të cilin pushteti po mundohet ta ndalë. Për herë të parë në historinë parlamentare të Kosovës pushteti po mundohet të ndalë një nismë ligjore të opizitës. Ky është pushtet absolut, i cili deri sot nuk ndërmarri asnjë masë ndaj ambasadorit Berishaj. Deri sot nuk kemi fillim të hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pra nuk është marrë asnjë masë të paktën as ajo e pezullimit nga puna të ambasadorit deri në sqarimin e rrethanave. Nuk ka as dorëheqje morale sepse e ka mburojë pushtetin”, ka thënë ai, duke shtuar se formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar është i domosdoshëm sepse aty është e vërteta dhe e vërteta do të dal në shesh sepse ekzistojnë faktet.
“Komisioni do të themelohet pavarësisht pengesave që po i bënë pushteti”, tha Manaj.
E zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi tha se LDK po e përcjell me shqetësim situatën e krijuar me skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë në raport me energjinë, fillimisht dhënia e 120 milionë eurove dhe sërish shtrenjtimi i faturës së energjisë 100% dhe e fundit skandali me ambasadorin e Kosovës në Slloveni, janë dëshmi se keqmenaxhimi i krizës energjetike dhe skandal rreth saj kanë metastazuar.
Ajoi shtoi se pikërisht ky skandal janë arsyet kryesore që mazhoranca po e kundërshton themelimin e Komisionit Hetimor.
“Të gjitha skandalet e njëpasnjëshme janë një rezultat e një politike të brendshme populliste. Shkarkimet pas shpërfaqjes të së vërtetave janë të domosdoshme. shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni konsiderojmë se është njëra ndër arsyet kryesore pse ky pushtet po e kundërshton në të gjitha mënyrat formimin e komisionit hetimor. Përmes këtij komisioni ne po synojmë të vërtetat e pushtetit që me çdo kusht po mundohet t’i mbajë të fshehura ato”, tha Halimi, derisa konfirmoi se kanë arritur t’i mbledhin 40 nënshkrime për formimin e këtij Komisioni, duke thënë se nuk do të heqin dorë. /Telegrafi/
\