Liverpooli pagoi rreth 50 milionë euro për të afruar në janar sulmuesin Luiz Diaz nga Porto dhe deri në këtë pikë të sezonit, 25-vjeçari kolumbian ka justifikuar çdo qindarkë, pasi ka luajtur 22 ndeshje, në shumicën të cilave duke ardhur nga stoli dhe ia ka dalë të shënojë 6 gola.
Më i fundit ishte ai i të shtunës në mbrëmje, që shmangu humbjen ndaj Tottenhamit në “Anfield Road” dhe mbajti gjallë shpresat e “the reds” për titullin kampion, ndonëse tashmë Manchester City është dukshëm i avantazhuar.
Megjithatë kolumbiani nuk është i pari afrim janari që nderon Liverpoolin, pasi në merkaton e dimrit të 2018-ës, “the reds” firmosën edhe me Virgil Van Dijk, që është shndërruar në pikën më të fortë të skuadrës së Jurgen Klopp.
Por cilat janë 10 blerjet më të spikatura të janarit në klubet e Premier League, nga 2010-a deri tani?
10. Robert Huth – Leicester
Gjermani u transferua te “dhelprat’ në merkaton e dimrit të 2015-ës, kur Leicester kishte humbur 13 nga 17 ndeshje në kampionat dhe ndodhej në vendin e fundit. Afrimi i gjermanit rezultoi i goditur, pasi i dha skuadrës soliditet në mbrojtje dhe bëri që Leicester t’i largohej fundit e të siguronte mbijetesën. Në sezonin e parë të plotë me fanellën e “dhelprave”, Huth luajti 33 ndeshje dhe shënoi 3 gola, duke ndihmuar Leicesterin të shpallet kampion në Premier League.
9. Nikica Jelavic – Everton
“The Toffees” paguan vetëm 6 milionë euro për kartonin e sulmuesit kroat, i cili në gjysmën e parë të sezonit kishte shënuar 17 gola në 28 ndeshje me skocezët e Rangers. Megjithatë edhe në “Goodyson Park” bëri mjaft mirë, duke shënuar 9 gola në 13 ndeshje dhe ndihmuar skuadrën e drejtuar nga David Moyes, a mbyllë kampionatin në vendin e 7. Për fat të keq, në dy vitet pasardhëse shënoi vetëm 7 gola në 45 ndeshje dhe u largua pa lënë gjurmë.
8. Papiss Cisse – Newcastle
Në janar të 2012-ës nuk ishte vetëm Jelavic zbulim, pasi Newcastle vendosi të investojë te sulmuesi senegalez, që kishte shënuar 39 gola në 67 ndeshje me Freiburgun në Bundesligë. Megjithatë askush nuk e priti që Cisse të kishte atë impakt që në fillimet e tij në “St. James Park”. Deri në fund të sezonit, Cisse ia doli të shënojë 13 gola dhe bashkë me Demba Ba, ndihmuan që Newcastle ta mbyllte sezonin në vendin e 5-të. Më pas shënoi vetëm 23 gola në më shumë se 100 ndeshje dhe në 2016-ën u largua drejt kampionatit kinez.
7. Pierre Emerick Aubameyang – Arsenal
Sulmuesi luante te Borussia Dortmund në janar të 2018-ës dhe konsiderohej nga më të mirët në qarkullim, ndaj Arsenali pagoi 65 milionë euro për ta marrë në Londër. Impakti i Aubameyang ishte i menjëhershëm, pasi shënoi 10 gola në 14 ndeshjet e para dhe ndihmoi Arsenalin të shkojë në finalen e FA Cup, ku u mposht Nga Manchester United. Edhe dy sezonet pasardhëse ishin mjaft të mirë për sulmuesin nga Gambia, që shënoi 60 gola në 95 ndeshje, ndërsa nga vera e 2020-ës, deri në janar të 2021-shit, kaloi një formë zhgënjyese.
6. Jesse Lingard – West Ham
Sulmuesi anglez kishte mbetur në pankinë nga Solskjaet te Manchester United dhe nga kjo situatë përfitoi trajneri i West Ham, David Moyes, që e mori në Londër janarin e vitit të kaluar dhe impakti i Lingard ishte fantastik. Nëntë gola të shënuar dhe 5 asiste në 16 ndeshje deri në fund, bënë që Lingard të ishte padyshim protagonisti kryesor për West Hamin, që siguroi një vend në Europa League.
5. Gary Cahill – Chelsea
Të gjithë e quajtën një blerje “low cost” për londinezët e Abramovich, që shpenzuan 9 milionë euro për kartonin e Cahill në janar të 2012-ës, por anglezi brenda pak javësh u bë partneri kryesor i John Terryt në qendër të mbrojtjes. Kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm, aq sa atë sezon Chelsea ia doli të triumfojë në FA Cup dhe Ligën e Kampionëve, me italianin Di Matteo në pankinë.
4. Luiz Diaz – Liverpool
“The reds” e blenë për 50 milionë euro nga Porto dhe ndonëse ka ardhur vetëm në janar, po shfaqet si një nga vendimtarët për formacionin e Klopp. Me 6 gola dhe 3 asiste të dhëna deri tani, është shndërruar në një kërcënim serioz për Diogo Jotën dhe Roberto Firminhon, të cilët po i lë shpesh në pankinë.
3. Luis Suarez – Liverpool
Në 2011-ën tifozët e Liverpoolit mbetën zemërthyer që fernando Torres u largua drejt Chelsea-t, megjithatë Liverpool shpenzoi rreth 30 milionë euro për të marrë Luis Suarez nga Ajaxi dhe më pas gjithçka ishte histori. Të gjithë u dashuruan menjëherë me uruguaianin, që në gjysmën e parë të sezonit shënoi 4 gola dhe dha 5 asiste, duke treguar një nivel mjaft të lartë teknik.
2. Bruno Fernandes – Manchester United
Pas muajsh të tërë spekulimesh, Manchester United ia doli të transferojë Bruno Fernandes nga Sportingu i Lisbonës për shifrën e 75 milionë eurove në janarin e 2020-ës. Impakti i portugezit ishte fantastik me 12 gola të shënuar dhe 9 asiste në 22 ndeshje deri në fund të një sezoni që pa Manchester United të ngjitet në vendin e katërt dhe të sigurojë pjesëmarrjen në Champions.
1. Virgil Van Dijk – Liverpool
“The reds” vendosën të paguajnë 84 milionë euro për kartonin e mbrojtësit holandez në janar të 2018-ës, duke e bërë atë më të shtrenjtin në histori dhe investimi ia ka vlejtur në çdo qindarkë, pasi edhe sot pas 4 vitesh e gjysmë, Van Dijk është padyshim një nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim. Kontributi i holandezit ishte i menjëhershëm dhe ndihmoi skuadrën e Klopp të shkojë deri në finalen e Ligës së kampionëve, ku u mposht nga Reali për shkak të gabimeve të portierit gjerman Loris Karius.