Rreth një marrëveshjeje, përmes së cilës Danimarka dëshiron të strehojë disa të burgosur në një burg në Kosovë, së fundmi ka bërë një shkrim edhe mediumi gjerman Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Danimarka dëshiron të dërgojë të huajt [të dënuar në këtë vend] në një burg në Kosovë. Qindra qeli janë bosh në vendin e vogël. Por, Prishtina thekson se nuk dëshiron të bëjë një model biznesi nga qiradhënia e qelive të burgut”, ka shkruar në fillim të artikullit FAZ.
Mediumi gjerman ka bërë të ditur se të huajt, që janë dënuar me burgim dhe deportim për vepra penale në Danimarkë, në të ardhmen duhet ta vuajnë dënimin në Kosovë.
“Kështu thuhet në një marrëveshje të nënshkruar nga të dyja qeveritë në fund të prillit. Ministri i atëhershëm danez i Drejtësisë, Nick Hækkerup, i cili kohët e fundit u largua nga politika, foli për një ‘marrëveshje novatore’ që do të lironte hapësirë në burgjet daneze dhe do të lehtësonte zyrtarët e burgjeve”, shkruan më tej FAZ.
“E ardhmja juaj nuk është në Danimarkë, ndaj nuk duhet ta kryeni dënimin me burg atje”, citohet të ketë thënë ish-ministri danez, Nick Hækkerup.
Mediumi në fjalë më pas vë në pah faktin se Kopenhaga dhe Prishtina kishin nënshkruar një marrëveshje për transferimin e të burgosurve në dhjetor të vitit 2021.
“Kjo u parapri nga diskutime të gjata. Marrëveshja do të jetë e vlefshme për pesë vjet, me një opsion për ta zgjatur atë edhe për gjysmë dekade. Me mandat të plotë, Kosova do të merrte 210 milionë euro nga Danimarka. Sipas Kosovës, një pjesë e madhe e kësaj duhet të rrjedhë në zgjerimin e kapaciteteve për energji të rinovueshme. Pra, marrëveshja është si të thuash: Të burgosur për energji solare”, vlerëson ndër tjerash mediumi gjerman.
Ndryshe, marrëveshja është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut në Danimarkë.