Afati i vendosur nga Konferenca e Kryetarëve për protokollimin e kandidatëve për President skadoi. Brenda orës 16:00 nuk u regjistrua asnjë emër që duhet të shkonte në votim në raundin e pare.
Çka automatikisht bën që Parlamenti të mblidhet pasditen e nesërme në orën 17:00 dhe ta cilësojë të ezuruar pa një kandidat raundin e parë të votimit për Presidentin e ri. Raundi i dytë duhet të zhvillohet jo më vonë se data 23 Maj.
Në fakt ezurimi i raundit të parë pa kandidat ishte i pritshëm sa kohë që të premten pas takimit që grupi i 3 të mandatuarve socialist me 2 nga 3 grupet parlamentare të opozitës u dakordësua që palet të riulen në tryezë kësaj here për të propozuar emra konkretë kandidatësh.
Demokratët ende nuk janë përfshirë në këtë proces. Ftesës për t’u ulur, Enkelejd Alibeaj iu përgjigj me një letër drejtuar homologut socialist ku i kërkonte transparencë për një proces ku ai mendon që e drejta për të propozuar emra i takon opozitës.
Nuk dihet nëse negociatat e nisura do të prodhojnë një President konsensual siç pretendon të ndodhë shumica socialiste që e inicioi këtë proces dialogu.
Deri tani ajo që dihet është që Kryeministri kërkon që kandidati për President të mos jetë pjesë e politikës aktive dhe aq më pak të vijë nga radhët e grupit parlamentar socialist.
Por të dy përfaqësuesit e opozitës të premten e cilësojnë të pakuptimtë kushtin që Presidenti i ri të mos jetë në politikën aktive. Arsyet e këtij kushti nga socialistët janë mëse të qarta pas eksperiencës që ata patën me ish-aleatin e tyre Ilir Metën, që pretendojnë se e përdori poltronin presidencial për pozitat e tij politike që kërkon t’i forcojë një ditë pasi të lërë Presidencën, duke paralajmëruar që ky hap hidhet pas 24 Korrikut kur i përfundon zyrtarisht mandati.
Gjithsesi gjithçka mbetet për t’u parë. Nëse brenda 3 raundeve të para Presidenti që i kënaq të gjitha palët nuk gjendet, socialistët kujtojnë përcaktimin kushtetues që në 2 raundet e fundit kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota, vota që ata këtë mandat të tretë i kanë për ta ndërmarrë këtë hap.