Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, gjatë vizitës së tij në Prishtinë tha se e mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Gjukanoviç po qëndron për një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Ai është pritur me nderime shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentët e dyja shteteve fqinje kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë theksuar përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, siç është thënë, për të siguruar më shumë stabilitet, paqe dhe zhvillim në rajon.
Gjukanoviç ka thënë se ka ardhur koha që Evropa të përsërisë mesazhin ‘që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkimin Evropian’.
“Ne jemi mirënjohës për faktin se Kosova është drejtuar kah objektivave identike strategjike sikurse Mali i Zi. Kjo është bazë që përmes shkëmbimit të përvojave të mbështesim njëri-tjetrin për t’i kaluar sfidat në këtë rrugë që në një të ardhme të afërt t’i realizojmë qëllimet tona të përbashkëta”, ka thënë ai.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Mali i Zi ndajnë një vizion të përbashkët e të qartë për të ardhmen euroatlantike.
Ajo ka shtuar se është e rëndësishme për rajonin të qëndrojnë bashkë ‘kundër agresionit rus dhe satelitëve të tyre që kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit’.
Presidentja Osmani ka kërkuar nga Mali i Zi që të mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, me rëndësi të veçantë anëtarësimin në NATO.
“Mali i Zi është një shembull i shkëlqyer se si anëtarësimi në NATO ka shërbyer vetëm drejt forcimit të sigurisë në tërë rajonin tonë, prandaj edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të shihet nga prizmi i njëjtë”, ka theksuar Osmani.
Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gjukanoviç ka theksuar se vendi i tij mbështet dialogun politik që ekziston ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se beson se vetëm dialogu politik mund të çojë deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Të dy presidentët kanë theksuar se nuk duhet të lejojnë që raportet mes dy shteteve të keqësohen.
“Nuk ka asnjë çështje që mund t’i prishë raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës”, ka thënë Osmani.
Sa i përket iniciativës Ballkani i Hapur, të dy presidentët kanë potencuar se nuk e shohin si një iniciativë të qëlluar rajonale dhe se do të vazhdojnë të mbështesin iniciativat tjera rajonale, të cilat janë krijuar më parë, siç është Procesi i Berlinit.
“Në vend të krijimit të iniciativave të reja, ta shfrytëzojmë potencialin e iniciativave aktuale si procesi i Berlinit”, ka thënë Gjukanoviç, raporton REL.
Iniciativa Ballkani i Hapur është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Iniciatorët e Ballkanit të Hapur deri më tani nuk ia kanë dalë që t’i bindin edhe tri shtetet e rajonit – Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën – të bëhen pjesë e kësaj iniciative informon REL.
Kujtojmë se Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç është shprehur pro iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”