Pas 6 vitesh në Romë, karriera e portierit shqiptar Thomas Strakosha pritet të marrë një drejtim tjetër.
Nga Serie A ku ka mbrojtur fanellën e Lazios në 207 ndeshje zyrtare, duke përfshirë edhe kupat europiane, 27-vjeçari kuqezi mund të fluturojë në një tjetër kryeqytet të njohur, kësaj radhe Londra.
Edhe pse nga disa muaj flitet për një interesim konkret të Newcastle që pritet të përforcohet shumë nga pronësia e re arabe, shqiptari ka zgjedhur një profil disi më të ulët, por që do t’i lejojë që të angazhohet si titullar i padiskutueshëm në Premier League.
Bëhet fjalë për Fulham, ekipin plot traditë dhe më i vjetri i Londrës, që sapo ka fituar Championship duke u ringritur në kategorinë më të lartë të futbollit anglez me objektivin për të arritur edhe njëherë nivelet e vitit 2010, kur arriti në finalen e Europa League, të humbur ndaj Atletico Madrid.
Sipas mediave të specializuara, Strakosha ka arritur një marrëveshje tre-vjeçare me britaniket, nga momenti që kontrata me Lacion e Maurizio Sarrit dhe Igli Tares ka përfunduar.
Me Lazion, Strakosha ka fituar dy Kupa të Italisë dhe një Superkupë.