Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të marrë pjesë në iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, sepse sipas tij, është dyfishim i panevojshëm i iniciativave.
Iniciativa e sotme në Ohër, sipas Zulfajt, është vazhdimësi e asaj në Novi Sad me Mini-Schengenin e që u shndërrua në “Ballkan të Hapur”, por sipas tij, rrënjët i kishte në vitin 2017 te Unioni Doganor, të cilin e kishte prezantuar presidenti serb, Vuçiq, e për të cilën edhe Lavrov tha se ishte nismë e Serbisë.
Sipas Zulfajt, Serbia nuk e pranon si palë të barabartë Kosovën, prandaj nuk mund të marrim pjesë në nismën e Ballkanit të Hapur.
“Ndërsa në procesin e Berlinit, ai ka thënë se jemi si palë e barabartë, sepse aty e kemi të garantuar barazinë, sepse jemi edhe me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, e kemi tregun e përbashkët rajonal me katër liritë dhe aty synojmë të arrijmë marrëveshjet”, është shprehur Zulfaj në PortaliD.
Tutje, ai tha se është e pakuptimtë pse Shqipëria shtynë përpara me krenari këtë iniciativë e që sipas tij, kur kjo është në dëm të shtetësisë së Kosovës.
“Kryeministri Kurti, mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit e ka në mënyrë parimore, e kemi të bërë në secilin prej takimeve cilat janë dëmet dhe rreziqet që vijnë prej Serbisë në mënyrë të vazhdueshme, prandaj është pakuptueshme pse Shqipëria e shtyen përpara me krenari këtë inciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Zulfaj.
Ai për këtë inciativë të mbajtur në Ohër, ka thënë se asnjë nga folësit përveç Escobar nuk kërkoi që të mos varemi nga energjia ruse, siç thotë ai asnjëri nga liderët nuk e përmendën faktin që Serbia rishtazi nënshkroi marrëveshje me gazpromin.
“Ky është shqetësimi jonë, është e qartë që Serbia është i vetmi vend që nuk ka sanksionuar federatën ruse”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se së fundi pjesë e “Open Ballkan” janë bashkuar edhe Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.