Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se inflacioni në vendin tonë është rritur më pak se në çdo vend të rajonit, ndërkohë që shpjegoi pse në Shqipëri karburanti kushton më shumë sesa në shtetet e tjera.
“Inflacioni në Shqipëri është rritur 6,2%. Më pak se në çdo vend të rajonit. A ka vallë arsye pse Shqipëria ka inflacion sa gjysma e rajonit? Me siguri që po. Së paku, janë dy arsye të rëndësishme: e para, fakti që vetëm në Shqipëri çmimi i energjisë vazhdon e mbahet aty ku ishte. E dyta, rritja e prodhimit vendas sepse nuk e kemi importuar të gjithë masën e normës së inflacionit nga vendet e tjera, edhe për shkak të zëvendësimit”, deklaroi Rama.
“Unë nuk po them që çmimet nuk janë rritur në vendin tonë, por po flas me fakte që i ka publikuar INSTAT”, shtoi kryeministri.
Në lidhje me rritjen e çmimit të naftës dhe benzinës, Rama u shpreh:
“Është e vërtetë që kemi një çmim karburanti më të shtrenjtë se të tjerët, por kemi taksat më të ulëta, sepse biznesit të vogël nuk i marrim asnjë lek. Ne subvencionojmë 100% elektrike dhe të gjitha këto janë para.
Ne u japim para të gjithë shqiptarëve që lëvizin me transport publik, ndryshe nga sa bën rajoni. Barrën e krizës do ta shpërndajmë që t’u japim mundësi atyre që prodhojnë e eksportojnë, ta ndjejnë më pak; ata që shkojnë në punë me autobus, mos ta ndjejnë fare”.