Nga njëri cep në tjetrin. Vendimi historik i Gjykatës së Lartë për të drejtën e abortit shkaktoi një reagim të fortë dhe mjaft emocional.
Gjatë të premtes, mazhoranca konservatore në gjykatën e lartë i dha fund të drejtës kushtetuese federale të abortit. Kthimi 50 vite pas, zemëroi aktivistët, të cilët pushtuan rrugët, nga Uashingtoni, në Kolorado e deri në Kaliforni.
“Ndalimet e abortit janë të paligjshme. Mëmësia e detyruar është e paligjshme”, tha një protestuese.
“Jam shumë e zemëruar. Lufta nuk ka mbaruar ende. Njerëzit e bënë këtë luftë 50 vite më parë. Tani është radha jonë ta bëjmë sërish këtë luftë”, u shpreh një tjetër.
Ndërkohë, aktivistët kundër abortit vlerësuan vendimin e gjykatës dhe festuan fitoren. Aktivistja Marina Mason tha se miliona jetë do të shpëtohen nga ky vendim. Zhvillimi historik pritet të ketë një ndikim të gjerë dhe të menjëhershëm, 26 shtete amerikane kanë gati ligjet për të ndaluar abortin, ndërsa 13 të tjerë po zbatojnë ligje të tilla.
Ekspertët e planifikimit familjar paralajmërojnë se vendi mund të përjetojë një krizë mbarëkombëtare shëndetësore, pasi shumica e shteteve do të ndalojnë qendrat e përkujdesjes për gratë që duan të abortojnë.
Teksa mbështetësit dhe kundërshtarët reagojnë ndaj vendimit, policia amerikane është përgatitur për përleshje të mundshme gjatë ditëve në vijim. Presidenti Joe Biden, kërkoi që protestat të ishin paqësore.