Kryeministri Edi Rama tha në një intervistë për “France 24” se Shqipëria po përpiqet të bashkëpunojë me Serbinë në mënyrë që historia e dhunshme mes dy kombeve të mos përsëritet.
“Serbia ka një situatë krejt tjetër historike dhe të lidhjeve ekonomike e tregtare. Shqipëria nuk ka, për ne Rusia është një vend shumë i largët, ne kishim në fuqi stalinizmin, ishim të vetmit që kishin stalinizmin deri në vitin 1990 dhe në të mirë apo në të keq Rusia identifikohet me këtë vuajtje, ndaj marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë janë minimale, edhe në momentet më të bukura, minimale, nuk kemi marrëdhënie tregtare.
Nuk ka gaz rus në vendin tonë, sigurisht ne i vuajmë pasojat si gjithë të tjerët sepse edhe për ne Ukraina është gjithashtu një furnizues i madh për bukë dhe gjithçka është ndryshe”, tha Rama.
“Pra, gjëja e rëndësishme është të mos lejojmë që kjo luftë të prekë Ballkanin, Ballkani është hallka më e cenueshme në Evropë, dhe ne po përpiqemi të bashkëpunojmë me Serbinë, po përpiqemi të shkojmë së bashku drejt së ardhmes dhe të mos biem përsëri në kurthin ku gjithmonë kemi rënë ne në Ballkan dhe kemi pasur vetëm viktima, vdekje dhe shkatërrime.
Serbia nga ana tjetër ka bërë një hap të rëndësishëm, ka votuar tri herë në OKB pro Perëndimit kundër Rusisë, ndërsa për sanksionet jam dakord, por nuk duhet të kërkojmë gjithçka dhe menjëherë sepse mund të pëlcasë dhe nëse plas është shumë më keq”.