Samiti i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor ishte një dështim i plotë, thotë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon.
Ajo shtoi se vendet e rajonit u ftuan në Bruksel, por nuk përfituan asgjë. “Kjo dërgon vërtet një sinjal katastrofik. Ka vetëm një person të lumtur nga kjo situatë, dhe ai ulet në Kremlin”, shkruan eurodeputetja në profilin e saj në Twitter.
Von Cramon shtoi se Bosnje e Hercegovinës nuk i është dhënë statusi kandidat për anëtarësim në BE. “Akoma më keq, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë nisur negociatat e anëtarësimit dhe Kosova nuk ka marrë liberalizimin e vizave”, thekson Von Cramon.
Eurodeputetja kërkoi që Serbisë t’i ndërpriteshin fondet e BE-së nëse nuk do të mbështesë sanksionet kundër Rusisë. Ajo gjithashtu kundërshtoi nismën rajonale Ballkani i Hapur, për të cilën tha se nuk është e bazuar në principe, standard dhe kushte, ndërsa paralajmëroi se nëse vazhdohet me të, procesi i bazuar në meritë i aderimit në BE do të minohet.