Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka marr zyrtarisht propozimin nga presidenca franceze për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, që do t’i hapte rrugë nisjes së negociatave.
“Mund të them se është gjetur kompromis, në përputhje me të dyja palët dhe besoj se është i pranueshëm. Në ditët në vijim, të dyja palët do ta konfirmojnë këtë. Presidenti dhe kryeministri bullgar tashmë e kanë mbështetur propozimin francez dhe do të ketë diskutime në ditët në vijim në Shkup”, tha Macron në një konferencë për mediat.
“Kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ fillimisht në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas edhe me Presidentin e shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë të vendit. Siç kemi premtuar, vendimin për të ardhmen tonë do ta marrim bashkërisht, me merita, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tij”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas mediave në vendin fqinj, Qeveria nuk ka dhënë detaje se çfarë saktësisht përmban ky propozim francez, dhe nëse teksti ka pësuar disa ndryshime për të cilat këmbënguli Shkupi. Disa ditë më parë, Kryeministri Dimitar Kovaçevski përsëriti tre kërkesat kryesore të vendit të tij për kornizën negociuese që janë: njohja e plotë e gjuhës maqedonase, çështjet historike të mos jenë pjesë e kornizës negociuese dhe që negociatat të fillojnë përpara përfshirjes së bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë. Gjithashtu kërkoi garanci që Bullgaria nuk do vendosë kushte të reja. Ndërkohë, propozimi francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që u miratua nga parlamenti I Sofjes, u përshëndet dhe nga Shtetet e Bashkuara.