Eurodeputeti Lukas Mandl në një fjalim në Parlamentin Evropian rikujtoi se populli i Kosovës me gjak ka paguar lirinë që sot e gëzon, ndonëse ndër përkrahësit më të mëdhenj të proceseve integruese është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave.
Mandl në fjalimin e mbajtur para eurodeputetëve theksoi se Kosova është një demokraci e qëndrueshme.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për të ardhmen e Evropës. Sot do të flasim për Republikën e Kosovës, raportin për Kosovën.
Dua të them se Kosova e ka paguar me gjak lirinë… Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar vendin që të fitojë pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik dhe ka sundim të ligjit.
Është një demokraci e qëndrueshme… Po sundimi i ligjit duhet të përmirësohet, por ata kanë një Kushtetutë të fuqishme… Ky shtet është njohur më shumë se 100 shtete, përfshirë edhe Izraelin.
Ky shtet është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon liberalizimin e vizave….Premtimet e dhëna nuk janë respektuar… Shumë mund të mësohet nga njerëzit e Kosovës, demokracisë më të re në Evropë”, tha ndër të tjera eurodeputeti austriak Mandl.
Ndryshe, sot Parlamenti Evropian do të votojë raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, që ishin miratuar para një muaji në Komisionin e Politikës së Jashtme. Votimi pason debatin e zhvilluar të martën mbrëma në Parlamentin Evropian për këto raporte.