Që nga e hëna e kësaj jave rreth 300 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kaçanik, për shkak të simptomave që dyshohet të jenë nga helmimi me ujë të pijshëm.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi në një prononcim për Telegrafin ka treguar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është duke i kryer analizat bakteriologjike, rezultatin e të cilave ende janë duke e pritur.
“Kemi një numër jo relativisht të madh me simptoma të lehta, që i përngjan helmimit. Po dyshohet për ujin e pijshëm. Kemi thirr Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), kanë marr masa dhe po presim rezultatet bakteriologjike. Analizat kimike kanë dal në rregull”, ka thënë Ilazi.
Sipas tij, simptomat e qytetarëve janë diarre, vjellje, ngërçe, plogështi, etj.
“Simptomat e pacientëve kanë qenë barkëqitje, të vjella, plogështi, ngërçe, temperaturë…Iu është dhënë tretmani”, u shpreh ai.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, tutje theksoi se i kanë rekomanduar qytetarët që ta vlojnë ujin e pijes.
“Është udhëzua ajo pjesë e komunitetit që mundësisht të vlohet uji derisa sa të marrim dhe versionin zyrtarë. Fatmirësisht nuk kemi pasur deri më tani asnjë të hospitalizuar…”, ka thënë Ilazi.
Ndërsa, zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Era Pireva për Telegrafin tha se ende nuk kanë dal rezultatet e analizave bakteriologjike.
“Ende nuk kanë dal rezultatet e ujit, sapo të ketë diçka të re, ju njoftojmë”, ka thënë Pireva.
\