Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Ruse, Maria Zakharova, ka thënë se vendimi i institucioneve të Kosovës për reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova.
“Liderët kosovarë e dinë se serbët nuk do të qëndrojnë indiferentë kur bëhet fjalë për sulmin e drejtpërdrejtë ndaj lirive të tyre, dhe ata qëllimisht janë duke e përshkallëzuar situatën, për të nisur një skenar ushtarak. Sigurisht që në ballë të sulmit është edhe Beogradi, të cilin Perëndimi dëshiron ta “neutralizojë” edhe më tej me duart e shqiptarëve të Kosovës”.
“I bëjmë thirrje Prishtinës, SHBA-ve dhe BE-së që të ndalojnë provokimet dhe të respektojnë të drejtat e serbëve në Kosovë”, ka shkruar Zakharova në një njoftim.