Një emigrant shqiptar është fotografuar duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, pasi preku tokën angleze në Kent, ku mbërriti me gomone nga Franca.
Si shumë bashkëkombës të tjerë, ai ndërmori udhëtimin e rrezikshëm, të cilin aq shumë vetë e kanë kryer në muajt e fundit, duke u shndërruar në një çështje urgjente për autoritetet britanike.
Sipas raportimeve në mediat në ishull, forcat e sigurisë po i ndajnë veçmas shqiptarët që mbërrijnë aty, duke ushtruar kontrolle më të rrepta ndaj tyre, për shkak të shqetësimeve se janë të përfshirë në organizata kriminale, raporton A2.
Shqiptarët përbëjnë kombësinë më të madhe të emigrantëve të paligjshëm që kanë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar në 6 muajt e parë të vitit 2022, para irakianëve, sirianëve dhe afganëve. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet britanike, 2165 shqiptarë kanë mbërritur në këtë periudhë kohe, por vetëm në korrik ky numër është rritur në 6000.
Javën e kaluar u raportua se Ministria e Brendshme britanike kishte arritur një marrëveshje me atë shqiptare, për të dërguar në ishull efektivë policie nga vendi ynë, që do të ndihmojnë në identifikimin dhe izolimin e emigrantëve që mund të kenë probleme me ligjin. Sipas asaj që u raportua, personat mund të kthehen në Shqipëri brenda pak orësh.