Pas Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin Rama po mundohet që t’u hedhë hi shqiptarëve me listat e hapura për të hequr koalicionet.
Sipas përfaqësuesit të PD-së Oerd Bylykbashit, çdo ndryshim që nuk është diskutuar në Këshillin Politik rrëzon marrëveshjen e 5 qershorit.
“Pretendimet e Ramës për t’i hedhur hi shqiptarëve janë të qarta se ndryshimet janë të shkruara e zezë mbi të bardhë. Ata kërkojnë që t’i heqin mundësinë shqiptarëve që të votojnë një ofertë politike, sepse do që të shkojë te pazari me dyer të mbyllura. Fakti i kryer dhe vendosja e një date e caktuar vetëm nga kryeministri, bie ndesh me deklaratat e faktorit ndërkombëtar. Çdo ndryshim duhet diskutuar në Këshillin Politik dhe duhet të marrë kohën e vet. Çdo gjë tjetër rrëzon marrëveshjen e 5 qershorit”, tha Bylykbashki.
Ndërsa për përfaqësuesin e LSI-së, Petrit Vasili, Rama do t’i heqë koalicionet sepse do të shkojë te pazaret paszgjedhore, sikurse i quajti ai.
“Mos na pyesni ne se çfarë do të bëjmë. Lexoni e zeza në të bardhë për ndryshimet kushtetuese, ekziston më fjala koalicione? Jo nuk ekziston. Propozuesit kërkojnë heqjen e koalicioneve. Koalicionet që bashkojnë idetë dhe duan të marrin pushtetin janë të pamoralshme për Edi Ramën, ndërsa koalicionet paszgjedhore që mblidhen me 3 këtu e 5 atje, e që bëjnë aleanca pazari, këtë kërkon Rama”, tha Vasili.