Gazetarët që punojnë në mediat e lidhura me grupin mediatik “Reach plc” në Britani të Madhe kanë ndërprerë punën për shkak të mosmarrëveshjes për rritjen e pagës.
Theksohet se gazetarët i janë bashkuar valës së grevës që është ndërmarrë javët e fundit nga sindikatat e punonjësve në sektorë të ndryshëm për shkak të ‘shkrirjes’ së të ardhurave të punonjësve përballë inflacionit të rritur në vend dhe për shkak të rritjes së pagave të propozuara nën nivelin e inflacionit.
Në Britani dhe Irlandë kanë hyrë në grevë mbi 1.000 gazetarë që punojnë në grupin mediatik “Reach plc” i cili nën strukturën e tij ka mbi 130 revista dhe gazeta të shtypura dhe online.
Vendimi për të lënë punën ka ardhur pasi u refuzua propozimi i Sindikatës Kombëtare të Gazetarëve (NUJ) për rritjen e pagës me 3 për qind ose me 750 sterlina.
Punonjësit kërkojnë rritje të drejtë të pagës nga grupi mediatik i cili nën strukturën e tij përfshin një numër të madh të gazetave dhe revistave të tilla si “Daily Star”, “Daily Mirror” dhe “Daily Express”.
Mes sindikatës dhe kompanisë më parë janë zhvilluar bisedime për shtyrjen e grevës, por nuk është arritur dakordim.
– Shumë sindikata në Britani kanë marrë vendim për grevë
Inflacioni vjetor në vend arriti në 10.1 për qind në korrik dhe shënoi nivelin më të lartë të 40 viteve të fundit.
Javët e fundit në vend sindikatat e sektorëve të ndryshëm kanë marrë vendime për grevë kolektive për shkak të ‘shkrirjes’ së të ardhurave përballë inflacionit dhe rritjes së pagave të propozuara nën normën e inflacionit.
Krahas mosmarrëveshjes për çështjen e rritjes së pagave, punonjësit kërkojnë edhe përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave të pensionit.
Në mesin e atyre që kanë marrë vendim për të lënë punën përfshihen punonjës të metrove, drejtues të autobusëve dhe mjeteve UBER, mësues, punonjës të porteve, avokatë të çështjeve penale, punonjësit e shëndetësisë, të pastrimit, aviacionit dhe të shërbimit postar.