Nuk ka pritur asnjë sekondë në emërimet e bëra për kabinetin e ri qeveritar, kryeministrja e sapo zgjedhur britanike, Liz Truss, pasuese e Boris Johnson si e përzgjedhur për drejtimin e vendit, nga radhët e Partisë Konservatore.
Me marrjen e detyrës nga ana e Truss, thuajse i gjithë kabineti qeveritar dha dorëheqjen, duke përfshirë edhe postet më të rëndësishme, në krye të dikastereve të Brendshëm, apo Shëndetësisë.
Pavarësisht këtij fakti, kryeministrja e re nuk ka humbur kohë dhe i ka zëvendësuar postet me profilin më të lartë publik në Britaninë e Madhe.
Kështu, me detyrë si Sekretare e Shëndetësisë dhe njëkohësisht zëvendëskryeministre, ngarkohet Therese Coffey. Ajo ka mbajtur më parë detyrën e Sekretares së Pensioneve në kabinetin e Boris Johnsonit.
Ekonomia e vendit shkon në dorë të Kwasi Kwarteng, i cili është zgjedhur si Kancelar.
Pikërisht ekonomia, është një ndër tre shtyllat ku reformat e Truss do të bazohen në këtë mandat dhe posti i Kwarteng, merr kështu rëndësi tepër të veçantë, për financat e vendit.
James Cleverly do të jetë Sekretari i ri i Jashtëm, i cili pason Truss në pozitën e saj. Cleverly është një figurë shumë e lartë publike dhe diplomat karriere, i cili ka mbajtur edhe në administrata të shkuara poste me shumë rëndësi.
Nga ana tjetër, punët e Brendshme shkojnë për prokuroren e përgjithshme, Suella Braverman, e cila pason Priti Patel, pas dorëheqjes së kësaj të fundit.
Shefe e kabinetit për Truss, do të jetë Wendy Morton, ish-ministre e shtetit për Transportin.
Me këto pozita tepër thelbësore të caktuara dhe me Ben Wallace të palëkundur në pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes, Truss formon kështu bërthamën e kabinetit të saj me njerëzit më të besuar, duke i hapur rrugë një epoke të re politike në Britaninë e Madhe.