Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani foli edhe për “mbështetjen” që kryeministri Rama i ka dhënë Serbisë në raport me Rusinë.
Ajo tha se disa politikanë shqiptarë nuk mund të shndërrohen si “shpëtues të fytyrës” të Serbisë, lidhur me sanksionet që nuk i ka vendosur ajo Rusisë.
Ajo shtoi se nuk duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë.
Zëri i Amerikës: Zonja presidente a u takuat me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Nju Jork dhe a ka gjasa që marrëdhëniet mes jush të përmirësohen pasi që nuk është sekret që keni pasur disa mosmarrëveshje?
Vjosa Osmani: Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet pro-ruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviçit.
Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë. Sot ta zëmë, ne po përkujtojmë masakrën e Abrisë ku janë vrarë dhjetëra fëmijë, gra e pleq, më i vogli dy vjeçari Valmir Deliu me biberon në gojë është masakruar në mënyrën më mizore të mundur dhe kushdo që e shikon fotografinë e Valmirit të vogël nuk mund ta quajë atë që ka ndodhur në Kosovë thjesht spastrim etnik, sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid, gjenocid e krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjithçka tjetër është ndryshim historie. Prandaj edhe janë gjëra që unë i them shumë qartë, sepse nuk mendoj që nëse relativizohen shkojnë qoftë në interes të Kosovës qoftë në interes të shqiptarëve.