Një sherr mes disa personash ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës. Mësohet se dy vëllezërit me mbiemrin Beqiraj, të cilët po lëviznin me motor, janë përplasur me një makinë në autostradën Tiranë-Durrës.
Në këtë moment, dy vëllezërit, kanë shkuar në drejtim të makinës që u preu rrugën, në të cilën ndodheshin 4 persona dhe janë konfliktuar fizikisht me to.
Gjatë momentit të përplasjes, personat që ishin në mjet morën me forcë njërin prej vëllezërve, Indrit Beqirajn, dhe lëvizën rreth 500 metra me makinë, por më pas e nxorën nga mjeti dhe më pas u larguan.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim personat që u përfshinë në sherr. Ngjarja e cila ka ndodhur në fundjavë, por u mësua sot, po hetohet për heqje të paligjshme të lirisë.
Njoftimi i policisë
Në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, shtetasit G. B. dhe I. B. (vëllezër), duke udhëtuar me motor, dyshohet se janë përfshirë në një incident rrugor, pasi një automjet ka goditur motorin e tyre, i cili për pasojë ka dalë nga rruga. Për këtë shkak, dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht me personat që ishin në automjet.
Në konflikt e sipër, personat që ishin në automjet kanë marrë njërin prej vëllezërve, shtetasin I. B., të cilin e kanë lënë në rrugë, larg nga vendi i konfliktit, dhe më pas janë larguar.
Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, në bazë të kallëzimit të shtetasit I. B., është regjistruar procedimi penal dhe po punohet për sqarimin e motivit dhe të rrethanave të ngjarjes, si dhe për implikimin e këtyre personave, në ngjarje të tjera.