Vendimi i SHBA-së për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë “rrit rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake” midis Rusisë dhe Perëndimit, ka paralajmëruar Moska.
Ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, tha se ishte një “kërcënim i menjëhershëm” për Moskën, duke e përshkruar SHBA-në si “pjesëmarrës në konflikt”.
Më herët, SHBA-ja njoftoi një ndihmë ushtarake prej 625 milionë dollarësh për Ukrainën, shkruan BBC.
Armatimi i avancuar i SHBA-së është vlerësuar se ka ndihmuar Ukrainën të marrë vrull kundër forcave pushtuese ruse.Trupat ukrainase kanë bërë përparime të rëndësishme në veri-lindje dhe jug të vendit gjatë javëve të fundit.
Pajisja më e fundit amerikane përfshin katër nga sistemet e shumta të raketave Himars me precizion të lartë.
Pasi pësoi një varg humbjesh të mëdha në fushën e betejës në Ukrainë në javët e fundit, Rusia është zotuar të mbrohet me të gjitha mjetet e disponueshme – duke mos përjashtuar përdorimin e armëve të saj bërthamore.
“Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit të ndalojë veprimet e tij provokuese që mund të çojnë në pasojat më të rënda”, tha ambasadori rus.
Paralajmërimi i Antonov vjen menjëherë pasi presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris diskutuan bashkëpunimin e mëtejshëm ushtarak me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë theksoi se “Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë aneksimin e supozuar të Rusisë të territorit ukrainas”.
Uashingtoni ka dhënë gati 17 miliardë dollarë në mbështetje ushtarake për Kievin që kur presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.