Në një kohë kur konflikti në Ukrainë është kryefjala e politikës ndërkombëtare dhe tashmë flitet hapur për mundësinë e një lufte të tretë botërore, madje edhe të një sulmi bërthamor, çmimi Nobel për Paqen merr padyshim një domethënie të veçantë.
Këtë vit, çmimi i Akademisë norvegjeze i shkoi bjellorusit Ales Bialiatski, si dhe organizata e të drejtave të njeriut “Memorial” nga Rusia dhe organizata nga Ukraina, “Qendra për Liri Civile”.
Por fituesit mesa duket nuk mbështeten në vendet e tyre të lindjes. Nuk habit kundërshtimi i regjimit bjellorus të Lukashenkos, që cilësoi dhënien e çmimit prestigjioz disidentit të tyre Bialatski. Madje qeveria e Minskut përfshiu vetë Alfred Nobelin në protestën e tyre ndaj vendimit, duke thëne se tashmë ai “po lëviz në varrin e tij” nga dëshpërimi për përdorimin sipas tyre të gabuar të seleksionimit.
“Me çmimin e sotëm, Nobeli është skredituar përfundimisht”, ishin ndërkohë fjalët e këshilltarit të Vladimir Putin, Valery Fadeev , i cili shtoi se dikur çmimet të tilla u jepeshin personaliteteve serioze, dhe jo disa pseudorganizatave, siç i cilësoi ai, si përshembull fituesja ruse, memorial, që lufton prej dekadash për të njohur opinionin publik mbi krimet e komunizmit.
Ajo që surprizon më shumë në fakt, është protesta e Kievit, me anë të këshilltarit të presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak. “Komiteti i Nobelit ka një kuptim interesant të fjalës paqe, ndërkohë që dy vende që sulmojnë një vend të tretë marrin bashkë çmimin. Asnjë organizatë ruse dhe bjelloruse ka organizuar rezistencë në vendet e tyre”, ishin fjalët e tij.
Një kundërvënie në dukje paradoksale, nga momenti që flitet për organizata dukshëm opozitare ndaj pushtetit, por që tregon edhe ndasitë mes këtyre vendeve, që nga përballja mes qeverive po shkon tek ajo mes popujve.