Deputetët e Kosovës në seancën e radhës që do të mbahet të enjten pritet të diskutojnë për Projektligjin që parasheh vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazike.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se pikë tjetër e diskutimit do të jetë shqyrtimi i Projektligjit që mbështet punët publike.
“Është caktuar një seancë e re, më 20 tetor ora 10:00, me dy pika të rendit të ditës. Pika e parë është shqyrtimi i Projektligjit për mbështetjen e punëve publike dhe pika e dytë është Projektligji për masat e përkohshme për produktet themelore që parasheh vendosjen e një çmimi tavan për produktet e listës esenciale”, tha Kusari-Lila.
Po ashtu, është paraparë futja në rend dite e pikave të mbetura nga data 4 gusht.
“Ishte dakrodim i grupeve parlamentare, pas tyre do të hyjmë në shqyrtimin me pikat e mbetura që nga seanca e 4 gushtit. Të enjten, më 27 tetor të mbahet seancë e rregullt plenare me pikat e rregullta”, shtoi ajo.
Për sa i përket projektligjit të dytë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri tha se kjo do t’i mundësoj qeverisë që të ndërhyjë në treg.
“Jemi në një situatë ku duhet të shpenzojmë deri në 20 për qind të vlerës së projektit, nga ato mjete që i kemi në bilanc bankar që janë rreth 700 milionë euro. Kemi edhe mungesë të realizimit të projekteve, që duhej të realizoheshin dhe të mos vinim në një situatë të tillë. I kemi bëri thirrje në vazhdimësi të realizojë projekte që kanë qenë në kuadër të buxhetit. Një projektligj i tillë nuk është konsultuar me Asociacionin e Kosovës. Për sa i përket një projektligji të tillë, i jep mundësi qeverisë që të ndërhyjë në treg me caktimin e çmimeve të disa produkteve. Këtu kemi të bëjmë me një projektligj që nuk është bërë një analizë e caktuar, pra një Projektligj që bjer ndesh me Kushtetutën”, tha Tahiri.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se Qeveria Kurti do të futet në histori si më e dobëta në investimet kapitale, duke shtuar Projektligji i Pagave ka përfunduar fazën e konsultimit publik.
“Projektligji i Pagave e ka përfunduar procesin e konsultimit dhe ky ligj ende nuk vjen për miratim në Kuvend. Mosardhja e këtij Projektligji nënkupton shtyrje edhe për 1 vit për zbatim. Me ecurinë aktuale, ky s’ka mundësi të futet në miratim më 1 janar”, u shpreh ai.