Foto e një ushtari të tmerruar teksa përqafohet nga diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u bë “kopertina” e albumit të vizitës së tij në një shkollë ushtarake në Penian.
Vizita në “Shkollën Revolucionare Mangyongdae” mendohet se u realizua disa ditë pas lëshimit të disa raketave në drejtim të Japonisë, që ndezën tensionet në rajon.
E themeluar në vitin 1947, shkolla është një institucion ekskluziv për anëtarët e Partisë së Punës në Korenë e Veriut dhe familjarët e tyre. Kim u fotografua teksa i hidhte duart në qafë ushtarit dhe i kishte vendosur dorën tjetër në faqe.
Por ai shihet me sytë e ulur drejt tokës, dukshëm i sikletosur nga afrimi i tepruar i diktatorit. Kjo foto dhe disa të tjera u publikuan nga media shtetërore të hënën, por nuk dihet koha e saktë e realizimit të tyre.
Kim shoqërohej në këtë vizitë nga bashkëshortja, Ri Sol Ju, e cila gjithashtu shihet në disa nga fotografitë me nxënësit dhe mësuesit.
Në foto të tjera shfaqet Kim teksa u mëson kadetëve si të qëllojnë me armë, ose duke inspektuar pajisjet ushtarake. Ndërsa në një tjetër foto, ai shihet teksa pozon mes ushtarëve të rinj.
Diktatori koreano-verior, i treti nga familja e tij që sundon vendin që prej shkëputjes nga Jugu në Luftën e Koresë, synon që vendi të njihet nga Shtetet e Bashkuara si fuqi bërthamore. Megjithatë, as amerikanët dhe as shtetet e tjera të komunitetit ndërkombëtar nuk kanë dhënë shenja se do ta pranojnë ndonjëherë një gjë të tillë.