“Disa raketa ruse të lëshuara drejt Ukrainës kanë kaluar mbi territorin e Moldavisë. Nuk ka garanci nëse kjo do të ndodhë apo jo sërish”, tha ministri moldav i Mbrojtjes, Nosatyi
Ministri i Mbrojtjes së Moldavisë, Anatolie Nosatyi deklaroi se mund të shpallet mobilizim nëse konflikti në Ukrainë afrohet pranë kufijve të vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për kanalin televiziv “TVR Moldova”, ministri Nosatyi tërhoqi vëmendjen se disa raketa ruse të lëshuara drejt Ukrainës kanë kaluar mbi territorin e Moldavisë. “Nuk ka garanci nëse kjo do të ndodhë apo jo sërish. Për këtë arsye kemi kërkuar mbështetje për çështjen e sigurisë nga partnerët perëndimorë, NATO dhe Rumania”, tha Nosatyi.
Lidhur me atë nëse do të shpallet apo jo mobilizim në Moldavi, Nosatyi tha: “Për këtë është e nevojshme që në frontin në Ukrainë të ndodhin ndryshime serioze. Nëse konflikti afrohet drejt kufijve tanë, nëse ndodhin ndryshime për çështjen e migrimit në vendin tonë nga Ukraina ose nëse vërejmë lëvizje të trupave ushtarake në zonën e luftës. Sigurisht në këtë situatë do të duhet të marrim masa të caktuara në mënyrë që të mund të reagojmë”.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu më 17 tetor njoftoi se do të merren masat e nevojshme në rast se Rusia ndërhyn ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Moldavisë.