Bashkimi Evropian pritet të vendosë sanksione në ditët në vijim ndaj Iranit për shitjen e droneve te rusët. Amerikanët ndërkaq e kanë ngritur këtë çështje në OKB për shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.
Shitja e droneve që Tehrani bëri tek rusët, mund t’i sjellë pasoja të rënda.
Rusët i përdorën dronët iranianë për të goditur qytete të shumta ukrainase, duke sjellë dëme të mëdha në infrastrukturë dhe terror te qytetarët.
Bashkimi Europian po planifikon të vendosë sanksione ndaj tre komandantëve të lartë ushtarakë iranianë dhe kompanisë që zhvillon dronët që besohet se janë përdorur në sulmet e Rusisë në Ukrainë.
Drafti i sanksioneve pritet të miratohet ditët e ardhshme, duke treguar se ministrat e BE-së nuk i besojnë mohimeve të Iranit se ka furnizuar Rusinë me armë vdekjeprurëse.
Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i cilësoi goditjet me drone nëpër qytete si “akte të pastra terrori”.
Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë thonë se goditja me drone e qyteteve dhe ngjallja e terrorit te banorët përbën krim lufte.
Amerikanët ndërkaq e kanë ngritur këtë çështje në OKB duke thënë se Irani ka thyer sanksionet me veprimin që ka ndërmarrë duke shitur drone te rusët.