Brazili nuk do ta ekstradojë ish-yllin e Milanit për të vuajtur një dënim 9-vjeçar për përdhunim në grup të një shqiptareje në Itali, por ai mund ta kryejë dënimin në shtetin e tij, shkruan Ansa.
Kushtetuta braziliane ndalon ekstradimet, përveç disa përjashtimeve ku nuk bën pjesë rasti i ish-futbollistit.
Në fillim të tetorit, autoritetet italiane kërkuan ekstradimin e Robinhos, ndërsa tashmë mund të kërkojnë që ai ta shlyejë dënimin në një burg brazilian.
Dënimi për përdhunimin e 23-vjeçares shqiptare në një klub nate në Milano më 22 janar të vitit 2013, ka marrë formë të prerë.
Tashmë në moshën 38-vjeçare, Robinho luajti për 4 sezone me Milanin në Serie A, përgjatë viteve 2010-2014, duke shënuar 25 gola në 108 ndeshje. Ai ka mbajtur veshur fanellën e kombëtares braziliane në 100 ndeshje, ku ka shënuar 28 gola.