Politikanët që kundërshtonin veprimet e Kremlinit u dyndën në Jabłonna afër Varshavës për të folur për të ardhmen e Rusisë. Ata po bëjnë gjithashtu plane për të rrëzuar Vladimir Putinin, shkruan media polake Wyborcza.
Gjatë diskutimeve tre ditore, plotikanët që kundërshtojnë veprimet e Kremlinit sot, jo vetëm që po flasin për të ardhmen e vendit të tyre, por edhe po krijojnë plane specifike për të përmbysur regjimin e Putinit.
Ndërsa disa aktivistë të opozitës bëjnë thirrje: Vladimir Putin duhet vrarë.
Organizatori i Kongresit, dikur politikan rus ,Ilya Ponomariov shpjegon se qëllimi është krijimi i një parlamenti të njohur nga Perëndimi i cili do të ushtronte pushtetin në Rusi gjatë periudhës së tranzicionit dhe për të përgatitur dokumente përkatëse, përfshirë dhe ndryshimet në Kushtetutën ruse.
Ish politikani rus Viacheslav Maltsev vuri në dukje se si mund të ndodhte një revolucion duke qenë se disa nga kundërshtarët e Putinit janë përfshirë tashmë në një ‘luftë guerile’ që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë, e cila ka parë rreth 100,000 ushtarë rusë të vrarë.
“Qëllimi kryesor është të eliminohet fizikisht Putini”, tha gjatë takimit Maltsev, i cili u largua nga Rusia pasi Kremlini e akuzoi atë si një “ekstremist” për kundërshtimin e qeverisë.
Maltsev shtoi se vrasja e Putinit do të çonte në një luftë civile, por “nuk do të ishte aq e përgjakshme sa lufta në Ukrainë”.
Një tjetër ish politikan, tha: “Lufta kundër terroristëve kërkon metoda të terroristëve”.
Bisedat për rrëzimin e Putinit vijnë teksa ai përpiqet të fitojë në Ukrainë, me ushtarët e tij që pësojnë humbje katastrofike në fushën e betejës.
Në një veprim të jashtëzakonshëm, marinsat rusë nga Brigada e 155-të Detare e Rusisë i shkruan një letër të ashpër guvernatorit të tyre rajonal pasi 300 burra nga batalioni i tyre ishin vrarë ose plagosur në katër ditë luftime të rënda në Ukrainën lindore.
Videot tregojnë trupat ruse të dëshpëruara duke ikur nga tanket e tyre të djegura dhe një grup ushtarësh duke u hedhur në erë nga raketat ukrainase gjatë sulmit katastrofik në qytetin e Pavlivka.