Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq ka folur nga Korça për çështjen e emigrantëve shqiptarë që kalojnë nga kanali i La Manchit.
Barsacq u shpreh se çështja duhet trajtuar, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga vendet e BE-së.
“Përballë Britanisë nuk është vetëm Franca si kufi ajo ndan kufirin detar edhe me 3 vende të tjera (Belgjika, Holanda dhe Gjermani). Çështjet duhen trajtuar jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga vendet e BE, është një çështje që nuk mund të zgjidhet apo diskutohet vetëm në gjirin e një shteti siç është Anglia”.
Ndër të tjera ajo u ndal dhe te amnistia fiskale, teksa kujtoi raport progresin për vendin.
Diplomatja franceze tha se në raport thuhet 4 herë se në rast të miratimit të amnistisë fiskale, kjo gjë nuk do të ishte aspak e favorshme.
“Kur shkoni të ndiqni një koncert mund ta vini re se të gjithë muzikantët e orkestrës, së pari koordinohen të kenë të gjithë një “la”. Tani Shqipëri është duke përshtatur, prandaj ajo duhet të synojë të përshtatet me këtë notë. Në vend që të luaj një la, mund të luaj një “si”, por kjo është shume e keqe për veshët e atyre që po dëgjojnë”, tha ajo.
Situata me emigrantët
Ndërsa kryeministri Rishi Sunak kërkon të firmosë një marrëveshje historike lidhur me kalimet e jashtëligjshme të emigrantëve në kanalin e La Manche, që lidh Britaninë e Madhe me Francën, Suella Braverman, sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, vijoi të përmendë shqiptarët në deklaratat e saj, duke i qëndruar versionit të saj se ata, nuk janë “skllevër modernë”.
Lidhur me këtë ka pasur “përplasje” me vetë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku ka kritikuar ashpër “retorikën” britanike që fajëson shtetasit shqiptarë për krimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe problemet kufitare.
Situata në shifra
Rreth 140 mijë persona me origjinë shqiptare janë vendosur në Britaninë e Madhe.
Rreth 90 mijë erdhën në Mbretërinë e Bashkuar midis viteve 2008 dhe 2013 dhe dhjetëra mijëra erdhën në Britani midis viteve 1991 dhe 2008.
Ka rreth 1 mijë e 300 biznese të drejtuara nga shqiptarët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Shumica e të cilave gjenden në Londër dhe 58 akademi që drejtojnë kurse të gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve që jetojnë në Britani.
Komuniteti shqiptar i ka vendosur rrënjët prej kohësh në Britaninë e Madhe dhe ‘kolonia’ shqiptare atje është rritur.
Të dhënat e fundit statistikore në Britani, duke përfshirë vetëm Anglinë dhe Uellsin, tregojnë se mamatë dhe baballarët e rinj në ishull, të cilët e kanë vendin e lindjes dhe origjinës në Shqipëri, hyjnë tashmë edhe në 10-shen më “pjellore” të kombësive të huaja.
Në terma konkretë, sa i përket mamave, ato shqiptare renditen në vend të 10-ë për të huajt, duke përllogaritur diçka më shumë se 3 mijë e 200 lindje në vit.
Nga ana tjetër, meshkujt shqiptarë renditen në vend të tetë për nga baballarët e huaj, me mbi 3 mijë e 500 lindje në vit, prej personave me vendlindje Shqipërinë.