Gjysma e banesave në Kiev janë ende në errësirë totale. Uji është rikthyer në të gjithë kryeqytetin e Ukrainës, ndërsa vetëm çereku i familjeve kanë në funksion sistemin e ngrohjes.
Është ky përditësimi i bërë nga kryebashkiaku Vitaliy Klitschko, për situatën pas sulmeve ajrore të ushtrisë ruse që shënjestroi rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe infrastrukturën jetike.
Ekipet janë angazhuar dhe janë në terren, por moti i keq me temperatura nën zero, akulli dhe erërat e forta dhe të ftohta kanë bërë që të vonojë rregullimi i defekteve. Autoritetet njoftuan se përgjatë ditës, furnizimi me energji elektrike për të gjithë konsumatorët do të jetë vetëm 3 orë.
Zonja e parë, Olena Zelenska, i tha BBC se Ukraina do t’i rezistojë këtij dimri, pavarësisht të ftohtit dhe errësirës që erdhi nga raketat ruse. “Pa fitoren tonë nuk mund të ketë paqe”, theksoi bashkëshortja e Zelenskit duke shtuar se kjo është një luftë vizionesh për botën. Për të përballuar këtë dimër të vështirë, NATO konfirmoi se do të dërgojë në Ukrainë paketa ndihme.
Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se suporti ushtarak për Kievin do të vijojë në mënyrë që Rusia të mos fitojë.
“Vladimir Putin po dështon në Ukrainë dhe prandaj po procedon me brutalitet të madh, duke sulmuar objektiva civile, privuar njerëzit nga energjia elektrike, uji dhe ushqimi. Për Ukrainën, ky është fillimi i një dimri të tmerrshëm”, tha ai.
Duke komentuar synimet e qarta të Zelenskyt, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Ukraina nuk do të rimarrë kurrë Krimenë. “Për Moskën, kjo çështje është jashtë diskutimit”, tha ai.
Ndërkohë, media prestigjoze Forbes, raporton se Rusia ka shpenzuar deri më tani 82 miliardë dollarë për luftën e nisur më 24 shkurt. Kjo shumë është sa çereku i gjithë buxhetit vjetor të këtij shteti. Kjo faturë mund të bëhet tepër e shtrenjtë nëse lufta vijon dhe vitin e ardhshëm, parashikon Forbes.