Të paktën 9 marinarë mbetën të lënduar si pasojë e një zjarri që përfshiu një ndër aeroplanmbajtëset më të mëdha amerikane, “Abraham Lincoln”.
Në komunikatën për shtyp të flotës amerikane bëhet me dije se 6 nga marinarët patën probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit, ndërkohë që nuk dihet shkalla e lëndimit të 3 të tjerëve.
Të gjithë të lënduarit po trajtohen në spitalin brenda aeroplanmbajtëses, e cila po lundron në brigjet e jugut të Kalifornisë.
Mes të tjerash, në komunikatë shkruhet se shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, ndërkohë që një hetim ka nisur për ngjarjen.