Rrugë të boshatisura, qendra tregtare me dyqane të mbyllura dhe njerëz që rrinë shumë larg njëri – tjetrit. Është kjo pasqyra e asaj që po ndodh në kryeqytetin kinez, Pekin, fill pas mbylljes së shumë rajoneve kineze si pasojë e shpërthimit të koronavirusit.
Impakti i mbylljes u pa menjëherë në të gjitha rrugët dhe zonat e dyqaneve. Zakonisht, zona e Sanlitun, që njihet si një destinacion i mbipopulluar si pasojë e restoranteve në zonë, paraqet pamjen e një shkretëtire.
Ndërkohë, shumë punëdhënës kanë marrë vendimin që punonjësit e tyre të rrinë në shtëpi e të punojnë online, pasi në shumë biznese të mëdha ka pasur një shpërthim të rasteve të reja me Covid-19.
Autoritetet vendase raportuan se vetëm këtë të mërkurë u regjistruan 2249 raste të reja me simptoma, 20 për qind e të cilave në kryeqytetin Pekin. Megjithatë ata presin që numri të jetë edhe më i lartë, referuar rasteve asimptomatike apo të rasteve të padeklaruara pranë autoriteteve shëndetësore, ose që janë kuruar në banesat e tyre.
Rishpërthimi i koronavirusit pritet të sjellë një ndikim tepër negativ jo vetëm në ekonominë kineze, por edhe një kolaps në sistemin shëndetësor, që ditët e fundit është përballur me një fluks në rritje të rasteve të reja dhe mortaliteteve.