Negociatorët e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje politike për tregun e karbonit, reduktimin më të shpejtë të emetimeve të gazrave që ngrohin planetin dhe vendosjen e çmimeve të reja për karburantet e përdorura në trafikun rrugor, që përmbajnë dyoksid karboni nga 2027.
Sipas marrëveshjes, tregu i karbonit në BE do të reformohet në mënyrë që emetimet e gazit të reduktohen me 62 për qind deri në vitin 2030 në krahasim me nivelin e vitit 2005.
Plani përfshin anulimin e 90 milionë lejeve të dyoksidi i karbonit nga sistemi në 2024, 27 milionë në 2026 dhe një reduktim në shkallën me të cilën kufiri i lejeve të dyoksidit të karbonit bie me 4.3 për qind nga 2024-2027 dhe 4.4 për qind nga 2028-2030.
“Momenti kyç është viti 2027. Të gjithë duhet të shkurtojnë emetimet deri atëherë ose do të duhet të paguajnë shumë”, tha kryenegociatori i Parlamentit Evropian, Peter Lees.
Nga viti 2026-2034, BE-ja do të heqë gradualisht lejet falas të dyoksidit të karbonit që i jep aktualisht industrisë për ta mbrojtur atë nga konkurrenca e huaj.
Pas 30 orësh bisedimesh që filluan të premten, negociatorët e BE-së ranë dakord të “lançojnë” një treg të ri karboni që mbulon furnizuesit e karburanteve që emetojnë CO2 të përdorura në makina dhe ndërtesa nga viti 2027.