Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, është shprehur se situata në veri të Kosovës është tensionuar menjëherë pasi Bashkimi Evropian mbajti samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
“Ja çfarë ndodhi: BE-ja mbajti një samit të nivelit të lartë në Shqipëri, në 6 dhjetor. U nënshkrua një dokument ku mbështetet aspirata e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Për më tepër, u nënvizua në një klauzolë të veçantë që Kosova (ashtu si Serbia) janë në rrugën evropiane.
Pra, mos ndoshta është për t’u habitur që as një javë më vonë, separatistët e Kosovës organizuan një përshkallëzim tensioni të armatosur dhe nisën provokimet? U arrestua Dejan Pantic, me origjinë serbe, dhe nisi retorika agresive.
Dua t’ju kujtoj se shumica e banorëve të Kosovës janë me origjinë shqiptare dhe ndjekim me vëmendjen perspektivën evropiane të Shqipërisë. Dhe, njëkohësisht me përshkallëzimin e tensionit nëpër rrugë, “Kryeministri” i Kosovës Albin Kurti aplikoi për anëtarësim në BE disa ditë më parë”, thotë Zakharova në kanalin e saj në Telegram.
“E kemi parë diçka të ngjashme në vitin 2008, kur Mikheil Saakashvili, i cili u frymëzua nga vendimet e marra në Samitin e NATO-s në Bukuresht (që Gjeorgjia do i bashkohej aleancës), u çmend dhe sulmoi Osetinë Jugore, qytetarë ruse dhe paqeruajtësit.
Rreziku i përshkallëzimit dhe rezistencës së armatosur në veri të Kosovës po rritet. Dhe gjëja më e rëndësishme është se me njërën dorë, BE-ja po udhëheq Beogradin drejt një të ardhmeje të ndritur, ndërsa me tjetrën po bën provokime antiserbe. Kjo është si një dasmë që nis me tradhti”, shtoi Zakharova.