Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele, ka shënuar mbi 1000 gola dhe ka fituar në karrierën e tij 3 Kupa Bote. Gjithashtu ka grumbulluar një pasuri të madhe, që e lejoi të jetonte shumë mirë.
Në kohën e tij, “Mbreti” ka qenë sportisti i paguar më mirë, por sa është pasuria që ka lënë pas futbollisti më i mirë brazilian në histori?
Pasuria e Pele i kalon 100 milionë dollarë, ndërkohë që gjatë jetës së tij ka blerë vilë në Nju Jork për 100 000 $, të cilën e shiti më vonë për rreth 3 milionë dollarë. Ndërkohë, edhe pse i pasur, që nga viti 2014, Pele merrte edhe një pension mujor prej 552 eurosh nga shteti brazilian.
Sigurisht, jo e gjithë pasuria e Pele vjen direkt nga futbolli. “Mbreti” përfitonte shuma të majme nga kontratat publicitare dhe këtë gjë e ka pranuar nëpër intervista të ndryshme:
“Unë nuk u pasurova me futbollin, siç pasurohen sot futbollistët. Unë fitova para me reklamat, kur e kisha lënë futbollin. Por, nuk kam bërë kurrë reklama që të kenë lidhje me duhanin, alkoolin, politikën apo fenë”.