Gjashtë persona mbetën të plagosur pasi një makinë u fut mes një turme me njerëz. Ngjarja e rëndë ndodhi në Harringay, në veri të Londrës, rreth orës 19:15.
Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të mjetit, i cili është larguar me makinën e copëtuar nga vendi i ngjarjes, edhe pse disa kalimtare janë përpjekur ta ndalojnë.
Në mediat britanike janë shpërndarë pamjet e momentit kur fuoristrada, me parakolp të dëmtuar nga përplasja, largohet nga vendngjarja.
Katër nga të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa dy të tjerët kanë marrë trajtim mjekësor në vendngjarje.
Hetuesit thonë se fillimisht po hetohet për një aksident trafiku, por nuk përjashtohet as pista e ndonjë sulmi të qëllimshëm.
Ngjarja vjen pak ditë pasi një djalë katër-vjeçar është në gjendje të rëndë për jetën pasi u përplas nga një makinë jashtë një stacioni të metrosë në jug të Londrës.